OEK-u mirëprit iniciativa e Abelard Tahirit për themelimin e Gjykatës Komerciale

17:17 | 10 Korrik 2019

Oda Ekonomike e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se mirëpret iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë, të përkrahur nga USAID, për përgatitjen e bazës ligjore që mundëson krijimin e Gjykatës Komerciale.

Siç thuhet në njoftim, Gjykata Komerciale mund të jetë një nga shtyllat kryesore të garantimit të sigurisë juridike për bizneset vendore dhe investitorët e huaj, derisa shkruhet se krijimi i kësaj Gjykate do të adresojë brengën serioze të bizneseve vendore dhe investitorëve të huaj që vie sot nga mungesa e sigurisë juridike per shkak të mos funksionimit efikas të sistemit gjyqësor.

Të gjitha rekomandimet e komunitetit të biznesit në vend dhe të investitorëve potencial e favorizojnë krijimin e Gjykatës Komerciale, e cila mund të garantoj mjete efektive juridike për trajtimin e të gjitha lëndëve nga fusha e drejtësisë komerciale. Krijim i kësaj Gjykate, sipas pritjeve tona, do t’i shërbejë komunitetit të biznesit vendor dhe investitorëve të huaj si një adresë e vetme, efikase dhe e specializuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre nga aktivitetet e tyre biznesore.

Kështu, komuniteti i biznesit në Kosovë pret që Gjykata Komerciale do të jetë një “One-Stop Shop” për trajtimin e te gjitha rasteve komerciale nga profesionistët që do të trajnohen dhe zhvillohen profesionalisht, konform praktikave me të mira ndërkombëtare të së drejtësisë komerciale.

“ Në këtë drejtim, presim që kjo Gjykatë të ketë juridiksion të qartë dhe të evitojë rastet e duplifikimit të kompetencave dhe nevojat e fragmetimit të rasteve në disa dhoma e në disa gjykata për të njëjtën çështje.

Natyrisht, presim që krahas krijimit dhe fuqizimit të kësaj Gjykate, të investohet dhe ngritet vëmendja e publikut edhe për përdorimin e mjeteve të tjera alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, të cilat edhe më tepër do të promovonin formalizimin e ekonomisë dhe zgjidhjen e të gjitha sfidave biznesore përmes rrugëve të mjeteve juridike në dispozicion. Prandaj, OEK do të avokoj fuqishëm krijimin e kësaj Gjykate dhe do të ofroj ekspertizën e vet në të gjitha fazat e procesit të krijimit të kësaj Gjykate”, thuhet në njoftim.

Projekti i Gjykatës Komerciale është duke u zhvilluar mbi bazën e të gjeturave dhe rekomandimeve të procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, reformë gjithëpërfshirëse e udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, derisa është bërë e ditur se themelimi i saj fillon në muajin shtator./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara