Novosti: Amerika “minon” ofansivën e Beogradit ndaj Kosovës

10:33 | 8 Nëntor 2018

Në prag të arritjes së kreut të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq për vizitë në Grenada, javën e kaluar, vendeve karaibe i janë përcjellë “udhëzime” të Departamentit amerikan lidhur me atë se çfarë qëndrimi të marrin, që nënkuptojnë edhe mbështetjen për Prishtinën.

Kësisoj shkruan “Veçernje Novosti”, transmeton Klan Kosova.

“Ne inkurajojmë qeverinë tuaj që të konfirmojë fuqishëm njohjen e Kosovës si një anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosovën e kanë njohur më shumë se 100 anëtarë të OKB-së dhe vazhdon të përparojë si një demokraci e pavarur dhe multietnike. Njohja shtesë bilaterale dhe multilaterale e Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin më të madh në Evropë, dhe izolimi i Kosovës dhe qytetarëve të saj është një recetë për paqëndrueshmër” – këto janë vetëm disa nga sugjerimet që siç raporton kjo gazetë, gjenden në shënimin dërguar në adresën e vendeve të këtij rajoni në të cilën ndodhet edhe data e saktë e vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë në Karaibe.

Duke supozuar se Daçiq ka gjasa të lobojë për tërheqjen e njohjes së Kosovës në dokument thuhet se do të “inkurajojë elemente regresive në rajon, që punojnë për të minuar përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kundërshtojnë integrimin e rajonit në institucionet euro-atlantike.”

Në shënimin e lartpërmendur në vendet e Karaibeve, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej tyre që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Interpol, me arsyetimin se kjo do të “forcojë përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër krimit dhe terrorizmit, dhe se vetëm kriminelët kanë përfituar nga status quo-ja”.

Shpërndaje në rrjete sociale