Një pjesë e Zonës Ekonomike në Lipjan do të hapet në fund të vitit

13:08 | 8 Korrik 2020

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, me bashkëpunëtorë, ka vizituar Zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit, respektivisht Parkun Industrial për të parë se si janë duke u zhvilluar punimet.

Ministri Krasniqi tha se zona të tilla janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendin tonë, ku investimet në këtë projekt kapin vlerën prej 2.3 milionë eurosh, e që përfshin një sipërfaqe prej 25 hektarësh.

“Ne, sot kemi ardhur në Zonën Ekonomike, këtu në Qylagë të Lipjanit, për të parë nga afër punimet e kësaj zone se deri në cilën fazë kanë arritur këto punime. Duke pasur parasysh situatën e shkaktuar nga pandemia, megjithatë operatori ekonomik u zotua se do t’i kryejë punimet  sipas planit dinamik të paraparë në kushtet e kontratës, e që deri në fund të këtij viti do të kryhen të gjitha punët e parapara”, u shpreh ministri Krasniqi, duke shtuar se nga ajo që pamë sot këtu jemi të kënaqur me punimet dhe duhet të them se është një zonë shumë e rëndësishme për këtë lokalitet dhe në përgjithësi për ekonominë e vendin tonë.

Po ashtu, ministri potencoi faktin se faza e parë e këtij projekti përfshin 10 hektarë, në vlerë prej 560 mijë eurosh dhe që jemi në bashkëfinancim edhe me Komunën e Lipjanit, e cila do të participojë me 50 mijë euro.

Sipas ministrit Krasniqi deri në fund të këtij viti do të finalizohet një pjesë e këtij projekti, në mënyrë që t’i ftojnë bizneset për të aplikuar.

Ministri bëri të ditur se zona ekonomike në fjalë shtrihet në një pjesë mjaft strategjike të vendit, ku është vetëm 8 km larg nga Aeroportit “Adem Jashari” dhe vetëm 22 km nga Prishtina.

Ndërsa, pronari i kompanisë së kontraktuar për këtë projekt, Agim Morina, tha se punimet do të përfundojnë sipas planit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, në vitin 2016, kanë filluar investimet e para në ndërtimin e infrastrukturës fizike: ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimi i kanalizimit, punët e ujësjellësit, gërmimi i platosë për hapësira të bizneseve, duke filluar me nivelimin e terrenit.

 

Lajmet më të lexuara