Nis trajnimi i kuadrit mjekësor

16:03 | 17 Mars 2015

Ministria e Shëndetësisë ka filluar këtë javë zbatimin e pilot projektit për trajnimin e punonjësve shëndetësorë për implementimin e Sistemit të informimit shëndetësor.

Përfitues të parë të pilot projektit, i cili do të zhvillohet në Komunën e Prishtinës për të vazhduar edhe në rajonin e Prizrenit, janë stafi shëndetësor i Klinikës së Pediatrisë dhe ata të Qendrës së Mjekësisë Familjare (Lagja Emshir- Prishtinë).

Trajnimi i filluar ka për qëllim që të ngre kapacitetet profesionale të punonjësve shëndetësorë për futjen e të dhënave shëndetësore në sistem, si hap i rëndësishëm në shëndetësinë kosovare, për krijimin e një data-baze të historisë së pacientit, perfomancës së vetë stafit mjekësor, por edhe të dhëna të tjera, që do të jenë pjesë e Sistemit të integruar elektronik të Informimit Shëndetësor.

Projekti për Sistemin e informimit shëndetësor është bashkëfinancuar nga Qeveria e Kosovës (MSh) dhe Qeveria e Luksemburgut (Lux-Dev).

Faza e parë e pilot projektit mbulon: regjionin e Prizrenit, Komunën e Prishtinës dhe QKUK-në, pra komplet Komuna e Prishtinës, QKMF-të dhe QMF-të, (qendrat nëpër bashkësi lokale) dhe QKUK-ja (të gjitha klinikat e saj) si dhe regjioni i Prizrenit (Spitali i Përgjithshëm, QKMF në Prizren dhe të gjitha QKMF-të, QMF-të dhe AMF-të e komunave: Dragash, Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Mamushë).

Institucionet të cilat do të përfshihen në këtë pilot projekt janë pajisur me kompjuterë, rrjeta lokale, bar-kod lexues dhe printerë. Për nevoja të projektit janë ngritur 5 qendra trajnimi, në të cilat do të realizohet trajnimi i 4500 mjekëve dhe infermierëve për përdorimin e pajisjes së shpërndarë dhe përdorimin e softuerit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara