Nis puna për eliminimin e moçalit problematik në Obiliq

13:14 | 21 Tetor 2015

Përpos problemeve me ndotjen e ajrit nga termocentralet, dhe mbeturinave në deponinë e Mirashit, Obiliqi kishte deri më tani edhe një problem tjetër.
Ka kohë që si mungesë e kanalizimit, banorët e lagjes “Hashani” në Obiliq përballen me erën e një moçali të krijuar shumë pranë shtëpive në këtë lagje.
Ujërat e zeza dhe reshjet e kohë pas kobshme me shi, po krijojnë probleme të mëdha për banorët e kësaj lagje duke ua bërë të pamundur edhe daljen në oborret e tyre.
Por, për këtë Komuna e Obiliqit tanimë vetëm se ka marrë masa. Në komunë thonë se ky është investimi më i madh që është bërë ndonjë herë në Obiliq, me anë të së cilës nga Mazgiti, përgjatë kësaj zone e deri te lumi Sitnica do të bëhet kyçja e rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza dhe atyre atmosferike.

Ky projekt, i cili ka kushtuar 124 mijë euro, sipas Burim Gërgurit, drejtor për Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, do të zgjidh njëherë e përgjithmonë problemin që kanë këto fshatrat nga bllokime të tilla.

“Problemi, që i kemi pasur të vazhdueshme me qytetar dhe me këto prona po i vije fundi. Ky është një projekt i veçantë mbi 124 mijë euro, do të thotë kanalizimi fekale dhe kanalet që njëherë e përgjithmonë do të merr fund për kanalizimet e fshatrave Mazgit i lartë, Mazgit i ulët, një pjesë e Llazarevës, Obiliqi i vjetër dhe një pjesë e Obiliqit, gjegjësisht lagjja Hashani e vjetër dhe lagjja nën hekurudhë. E shihni edhe vet, prapa vendin ku në mes të qytetit grumbullohen ujërat e zeza për mos funksionim të kanalizimit dhe ujërave atmosferike. Projekti ka filluar javën e kaluar, jemi duke e implementuar dhe shpresojmë që koha ka me qenë ndër faktorët kryesorë që nuk do të na pengojnë gjatë procesit”, tha Gërguri.

Sipas Gërgurit, përveç këtij investimi, sivjet janë investuar edhe dy segmente tjera jashtëzakonisht të mëdha në këtë qytet.

Por, banorët tregojnë për problemet e mëdha që kanë pasur ata deri më tani, të cilët nuk kanë mundur të dalin asnjëherë të qetë në oborret e tyre, për shkak të erës që vije aty.

Naim Krasniqi, Banor i Obiliqit të Vjetër, thotë se ata janë ankuar shumë herë në komunë, por deri më tani asgjë.

Ai shpreson që qeverisja e tanishme do e rregulloj këtë gjë, pasi që edhe punimet veç kanë filluar

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara