Nga “Luli” tek i pari i PDK-së, kjo është veprimtaria ushtarake dhe politike e Kadri Veselit

20:35 | 7 Nëntor 2019

Kadri Veseli u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Mitrovicë e Zveçan. Për të vazhduar më pas studimet në Prishtinë në vitin 1990 në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Por për shkak të rrethanave politike të asaj kohe për shkak të okupimit serb ishte detyruar që të vazhdoj studimet në Universitetin e Tiranës, në degën e Agronomisë.

Aktivitetin atdhetar dhe politik ai e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës duke u bërë njëri prej organizatorëve të protestave dhe demonstratave që zhvilloheshin në atë kohë kundër sistemit serb dhe jugosllav.

Në vitin 1990 bashkë me presidentin aktual Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales, Afrim Zhitia. Më 1991 ai kalon ilegalisht në Shqipëri me mision të organizatës që kishte si qëllim zgjerimin dhe intensifikimin e veprimeve politike.

Në Tiranë takohet edhe me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.

Prej vitit 1993 deri më 1998, Kadri Veseli bashkërendon aktivitetet rreth luftës së armatosur që nga Zvicra, Shqipëria, zona e Dukagjinit, Drenica, Pashtriku etj.

Pas rënies së Jasharjave në mars të vitit 1998, Kadri Veseli, bashkë me anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, punojnë në strukturimin e njësiteve dhe formacioneve ushtarake nëpër të gjitha zonat operative.

Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë deri në përfundim të luftës.

Veseli në luftë ishte njohur me nofkën “Luli”. Por pas çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999, krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja.

Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Kundërzbulimit, u transformua në shërbim të inteligjencës. Ky edhe ishte formacioni i fundit i UÇK-së, pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës i cili u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Në fund të viti 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në PDK, në vitin 2016 votohet për kryetar të PDK-së, kurse në vitin 2017 për kryetar të Kuvendi të Kosovës./rtv dukagjini

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara