Në QKUK kryhet një operacion i rrallë

17:09 | 16 Prill 2019

Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), mjekët kanë kryer një operacion specific dhe të rrallë.

Operacioni u krye tek një foshnje më pak se një muajshe, e cila kishte probleme me frymëmarrje.

Foshnja kishte komplikime të lindura tek muskuli i diafragmës dhe deri në ditën e operimit ishte mbajtur gjallë me anë të frymëmarrjes artificiale.

Problemet e tilla paraqiten një në dymbëdhjetë mijë fëmijë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e QKUK-së, pas konsultave mes Klinikës së Neonatologjisë dhe Kirurgjisë së Fëmijëve, në ditën e 28 të saj të lindjes, foshnja, që kishte një peshë prej 1800 gramë, i është nënshtruar intervenimit kirurgjik.

“Në bashkëpunim me kirurgët e Kirurgjisë Pediatrike foshnja është operuar dhe ka shkuar më pas në shtëpi me gjendje stabile, me peshë prej 2300 gramë. Është ky rasti i parë që operohet në moshën neonatale”, ka thënë drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci.

Kirurgu i Fëmijëve, Ardian Shefkiu, ndërkaq, tha se, në repartin ku punon, stafi mjekësor kryen operacione edhe më të ndërlikuara tek fëmijët.

“Në Kirurgji të Fëmijëve kryhen operacione të mëdha, të cilat i shpëtojnë fëmijët. Kemi një ekip goxha të përgatitur, në kuptimin kirurgë të fëmijëve, neonatologë dhe anesteziologë, të cilët janë në nivel”, citohet të ketë thënë Shefkiu.

Sistemi shëndetësor në Kosovë është kritikuar shumë shpesh për nivelin e ulët të shërbimeve. Ministria e Shëndetësisë, ka ndarë 50 milion euro për përmirësimin e infrastrukturës në spitalet e vendit.

Mirëpo, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla ka thënë se duhet të bëhet një studim më i detajuar në mënyrë që të mos investohet në objekte pa e ditur se a ka staf të mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha nevojat.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara