Në Prizren, marshim për Srebrenicën

19:46 | 11 Korrik 2018

Qytetarët e Prizrenit, pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme, marshuan të mërkurën me rastin e 23-vjetorit të gjenocidit në Srebërnicë.

Marshimi i paqes, me moton “Mos të harrojmë Srebërnicën”, u mbajt nën organizimin e shoqërisë kulturore-artistike “Behari i Sharrit”, ndërsa në të morën pjesë shqiptarë, boshnjakë dhe turq, si dhe pjesëtarë të bashkësive tjera pakicë.

Atyre iu bashkua edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe përfaqësuesit tjerë politikë të bashkësive pakicë.

“Jemi mbledhur në këtë marshim simbolik të paqes, marshim për Srebërnicën dhe u shprehim nderimet të gjitha viktimave. Të paktën, në mënyrë simbolike të bashkëndjejmë me nënat e Srebërnicës. Të gjithë së bashku, boshnjakët, shqiptarët, turqit dhe romët, jemi mbledhur këtu që t’i shprehim nderimet”, tha Edis Jonuzi, njëri nga organizatorët e marshimit.

Porosia që u dërgua nga ky tubim është që krimi nuk duhet asnjëherë të harrohet, në mënyrë që të mos përsëritet sërish./REL

Shpërndaje në rrjete sociale