Në Kosovë s’ka epidemi të fruthit, thotë IKSHPK-ja

14:52 | 16 Prill 2019

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka thënë se në Kosovë nuk ka epidemi të fruthit dhe se situata është nën kontroll.

Sipas një njoftimi të IKSHPK-së, Kosova është ndër 42 vendet që kanë ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit, duke qenë që për 15 vjet nuk ka pasur raste të fruthit në Kosovë, falë shkallës së lartë të vaksinimit kundër fruthit dhe rubeolës në 95 për qind, me çka është mundësuar edhe rënie e intensitetit të epidemisë së fruthit që u shfaq në gjysmën e dytë të dhjetorit 2017, duke siguruar kështu një përgjigje efektive ndaj epidemisë.

“Me një shkallë të përgjithshme të imunizimit të fëmijëve në Kosovë mbi 95 për qind që realizohet në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI), ky program konsiderohet si një prej storieve më të suksesshme të shëndetësisë kosovare, që e bën Kosovën të radhitet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Programi i Zgjeruar i Imunizimit (PZI) është me prioritet të lartë nga Ministria e Shëndetësisë. Aty theksohet se për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundjeshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i PZI-së është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt, sidomos e fëmijëve të grup-moshës 0-12 muaj.

“Ne po realizojmë me plot sukses edhe programe të veçanta të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian, e serbë në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa vaksinim. Duke i falënderuar PZI, në Kosova nuk ka sot paralizë të fëmijëve, nuk ka difteri nga viti 1981 si dhe është përqafuar programi për eliminimin e fruthit dhe kontrollin e rubeolës kongjenitale. Imunizimi është një nga intervenimet më efektive të shëndetit publik dhe ka potencial për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve dhe do promovohet imunizimi si intervenim i lirë, efektiv dhe me rezultate shumë të mira në funksion edhe të zhvillimit të qëndrueshëm”, thotë më tej IKSHPK.

Sipas IKSHPK-së, ndër sëmundjet vaksinë-preventabile që nuk ka shënuar sivjet epidemi është fruthi. Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit me vaksinën MMR është i obliguar me Ligj dhe i nënshtrohen të gjithë fëmijët e moshës 12 muajshe dhe 6 vjeçare me një dozë prej 0.5ml.

“Nëse fëmija nuk është vaksinuar në periudhën kohore të caktuar, prindi është i obliguar të kompletojë statusin vaksinal të fëmijës sa më parë. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik për vaksinim. Sëmundja e fruthit karakterizohet me shkallë të lartë të infektueshmërisë andaj edhe përhapja brenda territorit të caktuar është e shpejtë. Rreziku ndër-shtetëror i importimit të sëmundjes nga vendet fqinje dhe vendet e Evropës është permanent pasi që sëmundja përhapet me ajër. Por duke pasur parasysh mbulimin e shkëlqyeshëm me vaksinim nuk ka rrezik për shpërthim në përmasa të gjëra”, bën të ditur ky institut.

Në njoftimin e IKSHPK-së theksohet se vjetëve të fundit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar nga shkaku se nuk janë vaksinuar me rregull. Në shumë vende të Evropës janë regjistruar të sëmurë dhe të vdekur nga Fruthi (Ukraina, Serbia, Franca, Greqia, Italia, Rumania, Gjermania, Spanja). Në tremujorin e parë të këtij viti numri i rasteve të fruthit në botë është 300% më i lartë se vitin e kaluar. Organizata Botërore të Shëndetësisë raporton për rritje të shkallës së sëmundjeshmërisë nga fruthi në Rajonin e Evropës dhe Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e cila sot ka shpallur epidemi.

Sa i përket Kosovës, IKSHPK thekson se situata epidemiologjike është nën kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente. IKSHPK ka apeluar te qytetarët që s’i kanë vaksinuar fëmijët kundër fruthit të lajmërohen menjëherë në qendrat kryesore të mjekësisë.

“Aktualisht në laboratoret e Institutit Kombëtar janë izoluar 7 raste sporadike të fruthit. Të gjithë ata fëmijë të vaksinuar me rregull nuk do të sëmuren nga fruthi! Andaj, apelojmë te të gjithë prindërit të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre. Instituti Kombëtar në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksinë preventabile dhe po implementon masat parandaluese e kontrolluese”, thuhet në apel.

Në fund IKSHPK ka thënë se po tenton të gjejë të gjithë fëmijët e komuniteteve për t’i vaksinuar kundër fruthit dhe kundër sëmundjeve vaksinë preventabile, teksa ka shtuar se numri më i madh i fëmijëve të komunitetit rom, ashkalinj, egjiptian janë regjistruar me identitet të ndryshëm në Kosovë dhe identitet tjetër kur lëvizin në vendet fqinje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara