Në Gjenevë u shënua 20 vjetori i rënies së Heroit të Koshares, Agim Ramadanit

22:57 | 19 Maj 2019

Në Gjenevë u shënua 20 vjetori i rënies së Heroit të Koshares, Agim Ramadanit.  Në këtë mbrëmje përkujtimore artistike ka marrë pjesë dhe i është drejtuar publikut edhe kryetari i komunës Vernier, Yvo Rocher

Natën e mbrëmshme, më 18 maj u mbajt në Gjenevë aktiviteti përmbyllës i manifestimit tradicional “Ditët të Agimit”, kushtuar heroit të Kosovës, Agim Ramadanit.

Aktiviteti i sivjetëm ishte më i veçantë për faktin se përkonte me jubileun, 20 vjetorin e rënies së Agim Ramadanit, të njohur si strategu i Betejës së lavdishme të Koshares dhe i thyerjes së kufirit Shqipëri-Kosovë.

Në këtë mbrëmje përkujtimore dhe artistike, të organizuar shumë mirë nga shoqata “Zhegra” që funksionon në Komunën Vernier të Gjenevës ka marrë pjesë edhe kryetari i kësaj komune, njëherësh mik i shqiptarëve, Yvo Rocher. Gjithashtu edhe prania e përfaqësuesve të politikës kosovare ishte e një niveli të lartë, shkruan albinfo.ch.

Aty ishte ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Rrustem Berisha, bashkëluftëtar dhe mik i ngushtë i Agim Ramadanit.

Bashkëluftëtarë të shquar të Agimit si Anton Quni, Musa Gjakova e Feriz Treshnjeva ishin po ashtu të pranishëm në këtë mbrëmje.

Një fjalë përshëndetjeje me evokim kujtimesh mbi Agim Ramadanin e ka mbajtur Rrustem Berisha ndërsa në emrin e Konsullatës së Kosovës në Gjenevë ka folur

Avni Hasani, përfaqësues i saj. Fjalën e ka marrë edhe vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili ka folur në emrin e familjes së heroit.

Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli dhe Arsen Shoshi, drejtor për investime në “Benedict Education Group”

Në kuadrin e programit artistik kanë qenë Shoqata “Vatra” e Bülach-ut (Cyrih) ajo e Gjenevës “Gëzuar” dhe grupi “Rapsodët” po nga Gjeneva që janë ngjitur në skenë me valle dhe këngë kryesisht të frymëzuara nga lufta dhe rezistenca shqiptare.

Ndërsa aktori i shquar Çun Lajçi është paraqitur me një recital kushtuar luftës, shkruan albinfo.ch. Lajçi kishte sjellë këtu edhe librin e tij “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, i cili ishte në shitje.

Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri i ardhur po ashtu nga Kosova ka kënduar një këngë ashtu si dhe Edona Llalloshi, e cila u prezantua me këngën kushtuar Heroit, Agim Ramadani.

Po kështu këngë kushtuar Agimit kanë kënduar edhe çifti i këngëtarëve Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, shrkuan albinfo.ch Kori shqiptar i Gjenevës “Nostalgjia” i drejtuar nga Mira Bregu është prezantuar me këngë korale.

Ishte emocionuese dalja e Edona Llaloshit nga skena, e cila, duke u ndalur në rendin e parë, ka ngritur nga vendi bashkëshorten e Agim Ramadanit, Shukrije Ramadanin për të bërë së bashku simbolin e Shqiponjës dykrenare.

(Fotot: Agim Fejza)

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara