Ndërrimi i koeficienteve të shërbyesve civilë dëmton buxhetin

08:40 | 14 Prill 2015

Komuna e Gjilanit e akuzon ish-qeverisjen e kaluar se ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme me ndërrimin e koeficientit të pagës për shërbyesit civilë, duke e dëmtuar kështu buxhetin komunal në vlerë prej 70 mijë eurosh.

Arbër Ismajli, shef i kabinetit të kryetarit të Gjilanit, ka thënë se ata kanë evidencuar dhjetëra raste dhe se këto janë pjesë e një raporti që kanë bërë për këto parregullsi. Ai ka thënë se këtë praktikë kanë arritur që ta ndalojnë, mirëpo dëmet në buxhet janë jashtëzakonisht të mëdha.

“Janë me dhjetëra raste kur ish-qeverisja e kaluar u ka ngritur shërbyesve civilë koeficientin në mënyrë antiligjore duke na shkaktuar edhe borxhe të reja në vlerë prej 70 mijë eurosh. Ndërsa një pjesë e shërbyesve civilë, të cilët kanë punuar mirë janë diskriminuar në këtë aspekt. Këtë praktikë sigurisht që ne e kemi ndaluar. Këtu mund të përmend edhe rezultatin e dobët të drejtorisë së inspektoratit, ku kemi bërë shpërndarjen e inspektoratit nëpër drejtori tjera. Gjithashtu kemi pavarësuar edhe drejtorinë e kulturës nga ajo e rinisë së sporteve”, ka thënë ai.

Sipas tij, me riorganizimin e drejtorive komunale do të vlerësohet edhe performanca vjetore dhe në rast se shënohet ngecje në planin vjetor drejtorët mund të humbasin vendet e tyre të punës, shkruan sot KD.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara