Ndarja e Kosovës do t’i frymëzonte forcat nacionaliste në rajon

15:21 | 28 Korrik 2018

Me fillimin e fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në opinionin e të dyja vendeve është rikthyer ideja e shkëmbimit të territoreve, veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës. Ndryshimi i kufijve shihet si i rrezikshëm nga shqiptarët në Maqedoni, shkruan “Zëri”.

Muhamed Zekiri, deputet i LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev, ka thënë për “Zërin” se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e mirë.

Sipas tij, është koha që të mbyllen dilemat e ndryshimit të kufijve.

“Fillimisht qytetarët e Kosovës duhet të jenë ata të cilët duhet të shprehen a të pajtohen me një opsion të tillë apo jo. Mendimi im është se një marrëveshje e cila do të parashihte aneksimin e një pjesë të territorit të Kosovës do të ishte e dëmshme jo vetëm për qytetarët e saj, por për tërë rajonin. Pa dyshim është koha të mbyllen të gjitha çështjet e hapura në rajon dhe të shohim të gjithë përpara e të bëhemi pjesë e strukturave euroatlantike”, ka deklaruar Zekiri.

Ai më tej ka thënë se ndarja e Kosovës do t’i frymëzonte forcat nacionaliste në rajon.

“Po flasim momentalisht për çështje hipotetike, por duke pasur parasysh të kaluarën e rajonit nuk mund të thuhet se një marrëveshje e tillë nuk do të ndikojë edhe në shtetet e rajonit dhe mund t’i frymëzojë forcat nacionaliste të kthehen në skenë me kërkesa të ngjashme, gjegjësisht të kërkojnë redefinim të kufijve posaçërisht këtu mendoj në Bosnjën dhe në Republikën Serbe”, ka shtuar Zekiri.

Ndërsa, i pyetur nëse edhe shqiptarët në Maqedoni mund të kërkojnë bashkim kombëtar, Zekiri ka thënë se nuk mendon se kjo do të ndodhë.

“Nuk do të ndodhë një gjë e tillë duke pasur parasysh se Maqedonia dhe qytetarët e saj pa marrë parasysh përkatësisë etnike kanë trasuar qartë rrugën e tyre të bëhen pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Në këtë familje të madhe evropiane s’kam dyshim se do të jemi bashkë edhe me qytetarët e Kosovës, por edhe vendeve tjera të rajonit”, ka deklaruar Zekiri. /Zëri/

Lajmet më të lexuara