Natali Velija kërkon lirim nga burgu, vendimi në fund të janarit

07:51 | 4 Janar 2018

Shtetasja gjermane, Natali Veliaj e dënuar me 8 vjet si e akuzuara kryesore për përvetësim të 1. 4 milion eurove  në rastin e njohur si  “Skandali i pasaportave” ka vendosur ta provoj sërish  fatin duke kërkuar lirim me kusht.

Veliaj, kërkesë të njëjtë për lirim me kusht e kishte bërë edhe në  tetor të vitit 2016, por që i ishte refuzuar nga Paneli për Lirim me Kusht.

Mbrojtësi i saj, avokati Ramë Dreshaj thotë se kërkesa për lirim me kusht  në Panelin për Lirim me kusht është dorëzuar ka mesi i dhjetorit të vitit të kaluar.

Por avokati Dreshaj, shprehet skeptik sa i përket aprovimit të kërkesës së klientes së tij nga ana e panelit. Ai akuzon këtë panel, duke e quajtur joprofesional.

“Më datë 21 dhjetor e kemi dorëzuar kërkesën për lirim me kusht në  Panel për Lirim me kusht. Përgjigje ende nuk kemi marr, se duhet përgatitet mendimi nga komisioni profesionist siç quhet, por që unë mendoj se  më së paku janë profesional, ngase pa asnjë bazë ligjore ja kanë refuzuar kërkesën para një viti. Shumë pak pres”, thotë avokati Dreshaj.

Në anën tjetër, zyrtarë të Panelit për Lirim me Kushtë, pohojnë se në vendimi ndaj kërkesës së Veliajt do të merret deri në fund të këtij muaji.

“Vendimi për kërkesën e Natali Veliajt do të merret nga paneli në fund të muajit janar”,  ka thënë koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht, Bedri Duraku.

Më 25 janar të vitit 2017, Paneli kishte refuzuar kërkesën e Veliajt për lirim me kusht, me arsyetimin se pesha e rëndë e veprës penale dhe masa disiplinore e shqiptuar ndaj saj gjatë qëndrimit të saj në burg, janë rrethana për të cilat paneli vlerëson se është ende herët që të konstatohet lirimi me kusht. Po ashtu, sipas këtij paneli ende nuk ishte arritur qëllimi i ekzekutimit të sanksionit penal.

Ndryshe, Natali Veliaj ishte arrestuar në nëntor të vitit 2012 nga policia e Eulex-it,  pasi dyshohej se si pronare e  firmës “Consulting EU Sh.p ,kishte  përvetësuar rreth 1, 4 milion euro, mjete këto që do të duhej  t’ia transferonte ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila kishte prodhuar pasaportat e Kosovës.

Që nga ajo kohë, e deri tash janë bërë rreth katër vjet nga qëndrimi i saj prapa grilave.

Në dhjetor të vitit 2014,  pas një procesi gjyqësor, Natali Veliaj dënohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës me  12 vjet burgim, dënim ky i cili u zbrit nga Gjykata e Apelit në 8 vjet burgim dhe gjobë prej 25mijë eurove.

Ajo akuzohej nga një  prokuror i Eulex-it në kuadër të  Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nëntë vepra penale, përfshi krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve

Përveç saj,  në këtë rast ishte dënuar edhe bashkëpunëtori i ngushtë e Veliajt,  Fisnik Blakaj, i cili nga 11 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, ky dënim i ishte zbritur në 6 vjet nga Apeli dhe  gjobë prej 25 mijë eurove.

Dënimit nuk u kishin shpëtuar as vëllai i Fisnikut, Betim Blakaj, i cili ishte dënuar më 1 vit burgim dhe 3.000 euro gjobë, Ergyn Dogani me 5 vjet burim dhe 15 mijë euro; Imer Fazlia me 2 vjet burgim dhe gjobë prej 8.000 eurosh, kurse Nazmi Thaçi me 1 vit burgim dhe 5.000 euro gjobë.

Ndërkaq, Jakup Blakçori dhe Sefedin Shala ishin shfajësuar nga veprat penale, të cilat rëndonin mbi ta./Gita Lushi/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara