Dy dënime të përjetshme, kërkohet ashpërsim i dënimeve edhe për vrasësit dhe dhunuesit e grave tjera

18:39 | 15 Prill 2019 | Arditë Shkodra

Pjetër Ndrecaj dhe Naser Pajazitaj janë dy të dënuarit e parë dhe të vetëm deri tash me burgim të përjetshëm nga drejtësia kosovare. Ndrecaj ishte dënuar me 24 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Gjakovë për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij 9 vjeçare, shkruan arbresh.info.

Mirëpo ky dënim ishte ndryshuar nga Gjykata e Apelit të Kosovës, e cila disa muaj më vonë dënimin prej 24 vjetësh ndaj Ndrecajt e bëri të përjetshëm.

Naser Pajazitaj në mars të vitit 2018 ishte liruar në mungesë të provave për vrasjen e Donjeta Pajazitit, mirëpo një vit më vonë, pas kthimit në rigjykim në mars të këtij viti Pajazitaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, pikërisht e njëjta gjykatë e cila një vit më parë e kishte liruar.

Njohës të çështjeve të drejtësisë dhe Organizatat për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave në Kosovë dy vendimet për dënim të përjetshëm ndaj vrasësve të grave i shohin si shpresëdhënëse.

KGJK: Janë tri raste me burgim të përjetshëm, njëri prej tyre është zbutur nga Apeli

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka bërë të ditur se që nga viti 2015 janë shqiptuar tri dënime të përjetshme, njëra prej tyre është zbutur nga Gjykata e Apelit.

Zëdhënësja e KGJK-së, Aishe Qorraj ka pohuar se sipas të dhënave nga ky këshill një dënim i përjetshëm ishte shqiptuar në vitin 2015 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Emin Krasniqi e Astrit Mehmeti për vrasje të rëndë të Melvin Ajdinoviqit.  Mirëpo ky vendim ishte zbutur nga Apeli.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në vitin 2015, është shqiptuar dënimi më burgim të përjetshëm për dy (2) persona, me veprën penale, vrasje e rëndë, ndërsa Gjykata e Apelit e ka zbutur dënimin e shkallës së parë”, ka thënë Qorraj.

Përveç këtij rasti, edhe Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata Themelore në Gjakovë .

“Në Gjykatën Themelore në Pejë, në vitin 2019, është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm për një (1) person, më veprën penale vrasje e rëndë. Pritet afati i ankesës. Gjithashtu, kemi edhe një (1) rast në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke e ashpërsuar më dënim me burgim të përjetshëm për (1) person me veprën penale vrasje e rëndë”, është shprehur ajo.

Njohës të çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se këto dy vendimet e fundit të gjykatave për burgim te përjetshëm ndaj autorëve të vrasjeve të grave paraqesin një progres sa i përket politikës ndëshkimore në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës, e cila vazhdon të ketë probleme të mëdha.

IKD: Këto vendime tregojnë një progres rreth politikës ndëshkimore në sistemin e drejtësisë

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se ky institut vlerëson se në këto dy raste, gjykatat kanë vlerësuar drejtë kuptimin e rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Sipas tij, këto dënime paraqesin një progres sa i përket politikës ndëshkimore në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës, e cila vazhdon të ketë probleme të mëdha.

Sa i përket vendimit të fundit të Gjykatës Themelore në Pejë për vrasjen e Donjeta Pajazitit, Shala thotë se ky rast duhet të shërbej si mësim për të gjitha rastet e tjera.

“Sfidë për Gjykatën është fajësia apo pafajësia e dikujt, pas vërtetimit të së cilës, gjykata duhet të vlerësojë drejt të gjitha rrethanat. Këto dy raste janë të izoluara apo do të përdoren si precedent edhe për rastet e tjera, mbetet të shihet në të ardhmen, monitorimin e së cilave do ta bëj IKD”, ka thënë Shala.

Rrjeti i Grave të Kosovës: Këto dy vendime janë shpresëdhënëse

Rrjeti i Grave të Kosovës i sheh si shumë pozitive vendimin e drejtësisë për burgim të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Valbona Markut bashkë me vajzën e saj dhe Donjeta Pajazitit.

Sipas saj, ka pas ankesa nga Rrjeti i Grave të Kosovës nga vetë familjarët e viktimave se nuk po ndëshkohen sa e meritojnë vrasësit në Kosovë, dhe se në një mënyrë ose tjetër sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk vlerëson si duhet rastet.

Adelina Berisha nga rrjeti i Grave të Kosovës pohon se këto dy raste japin shpresë që gjyqësia kosovare ka filluar të merret seriozisht me rastet e dhunës dhe vrasjeve ndaj grave dhe vajzave.

“Këto dy rastet e fundit janë shpresëdhënës, ajo këto dy dënime vlerëson si shume pozitive dhe konsideron që më në fund gjyqësia ka filluar të merret seriozisht me rastet e dhunës dhe vrasjeve ndaj grave dhe vajzave”, ka thënë Berisha.

Berisha thotë se thirrja e Rrjetit të Grave gjithmonë ka qenë që të rritën dhe të ashpërsohen dënimet për vrasësit dhe dhunuesit e grave.

“Ne gjithmonë kemi dhënë vërejtje për dënimet e ulëta për vrasjen e grave dhe vajzave, dhe se prej kur ekziston Rrjeti i Grave, ne me punën dhe hulumtimet tona kemi pa që kjo gjithmonë ka qenë njëra prej problemeve”, është shprehur Berisha për arbresh.info.

Ajo përmendi edhe dy raste, rastin e Antigona Morinës dhe Zejnepe Bytyqi, raste këto që sipas saj kanë Rrjetit i Grave të Kosovës nuk ka qenë i kënaqur me vendimin e gjykatës ndaj përgjegjësve për vdekjen e tyre.

Sipas saj, kjo organizatë vazhdimisht ka kërkuar që të rritet dënimi për kryerësit e këtyre veprave penale. Berisha bëri të ditur se kjo pret që Gjykata e Apelit të merr vendim meritor për përgjegjësin që shkaktoi vrasjen e Antigona Morinës.

“Ne shpresojmë që ky mesazh t’i përcillet tërë shoqërisë dhe ti tregojmë që ne nuk lejojmë dhe Kosova si një shtet demokratik nuk e toleron dhunën dhe vrasjen e grave dhe vajzave dhe se kushdo që bën një akt të tillë do të marrë dënimin konform Kodit Penal”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, rasti i parë kur gjykata Themelore e Prishtinës kishte shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm ishte në vitin 2015 ndaj të akuzuarve për vrasjen e Melvin Ajdinoviqit, Emin Krasniqi e Astrit Mehmeti. Mirëpo ky vendim ishte zbutur nga Gjykata e Apelit si shkallë e dytë.

Ndërkohë në janar të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte rritur vendimin ndaj Pjetër Ndrecajt nga 24 vjet sa ishte shqiptuar nga Gjykata Themelore e Gjakovë në burgim të përjetshëm.

Ndrecaj akuzohej se kishte qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij Valbona Marku dhe vajzën e tij nëntë vjeçare. Në fund të muajit mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë dënoi më burgim të përjetshëm të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitit, kushëririn e saj Naser Pajaziti. /Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara