Muzeu i Kosovës dhjetë muaj pa drejtor, Ministria hap konkurs të brendshëm

09:12 | 28 Maj 2019

Dhjetë muaj pas shkarkimit të drejtorit të Muzeut të Kosovës, Ministrisë së Kulturës i ka rënë ndërmend që të hapë konkurs për këtë pozitë. Në korrik të vitit 2018 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur të jashtëligjshëm mënyrën e transferimit të Skënder Boshtrakajt nga Ministria e Kulturës në pozitën e drejtorit të institucionit më të lartë muzeor në vend. Boshtrakaj kishte qëndruar në atë pozitë për tre vjet.

Por MKRS-ja prej asaj kohe vazhdon që zgjidhjen ta bëjë nëpërmjet ushtruesve të detyrës. Për disa muaj ushtrues detyre kishte qenë Bislim Bislimi e më pas drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë kulturore, Vjollca Aliu. Aktualisht kjo pozitë ka mbetur edhe pa ushtrues detyre.

Ministria e Kulturës ia ka mësyrë që nëpërmjet një konkursi të brendshëm ta bëjë me drejtor institucionin i cili prej dhjetorit të vitit të kaluar u bë Muzeu Kombëtar i Kosovës. Me rekrutim të brendshëm MKRS-ja kërkon kandidatë që kanë njohuri substanciale në fushën e trashëgimisë kulturore, shkathtësi udhëheqëse e kompjuterike. Kërkohet diplomë universitare në fushën e historisë apo arkeologjisë, etnologjisë, historisë së artit, menaxhim i trashëgimisë kulturore, konservim, restaurim. Por kësaj pozite mund t’ia mësyjnë edhe ata që kanë përfunduar studimet bazike për juridik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara