Musliu: Mungesë e rezultateve nga Sistemi Prokurorial në luftimin e rasteve të Korrupsionit

15:59 | 17 Dhjetor 2015

Këshilli prokurorial  në miratimin e Planit Strategjik (2016 – 2018) dhe Plani i verprimit për ngritjen e efikasitetit të  Sistemit Prokurorial në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurise së paligjshme tek lëndët e korrupsionit dhekson problematikën e lëndëve të pazgjidhura.

Në këtë plan shihet se lëndët e korrupsionit të pazgjidhura gjatë vitit 2015 janë në numër më të madh sesa vitin e kaluar.

Në fund të vitit 2014 nëpër prokurori kanë mbetur të pazgjidhura 532 lëndë me 1558 persona ndërsa në fund të periudhës 9 mujore të vitit 2015 kanë ngelur 636 raste të pazgjidhura me 1753 persona. Poashtu në këtë plan përmenden edhe krimet ekonomike ku edhe tek kjo pjesë në vitin 2015 janë rritur shifrat e këtyre lëndëve në krahasim me vitin 2014.

Në fund të vitit 2014 nëpër prokurori kanë mbetur të pazgjidhura 488 lëndë me 623 persona, ndërsa në fund të periudhës 9 mujore të vitit 2015 kanë ngelur 507 raste të pazgjidhura me 679 persona, dhe edhe këtu këto lëndë në nivel i përkasin Prokurorisë Themelore në Prishtinë mbi 50%

Në lidhje me këtë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musli në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se IKD në vazhdimësi që nga viti 2013 kur ka filluar monitorimin e sistemit prokurorial, përmes shtatë (7) raporteve periodike të publikuara deri më tani ka raportuar për mungesën e rezultateve nga sistemi prokurorial në luftimin e rasteve të korrupsionit.

“Strategjia e fundit e miratuar nga KPK do të ketë fatin e njëjtë me planet e veprimit dhe politikat e miratuara nga Këshilli në vitet e mëhershme nëse do të vazhdojë të mungoj vullneti  dhe përkushtimi në radhë të parë i bartësve kryesor të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit, duke përfshirë luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë Musliu duke shtuar se Këshilli Prokurorial nuk duhet të lejoj amnistimin e atyre prokurorëve të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë amnistuar apo mbyllur rastet e korrupsionit në raste kur kanë qenë të përfshirë figura politike apo kur dëmi i shkaktuar me veprën penale të korrupsionit ka përfshirë qindra mijëra euro.

“Duhet të rritet llogaridhënia në sistemin prokurorial që të dëshmohet vullneti dhe përkushtimi për të siguruar prokurorë me integritet që i kryejnë detyrimet ligjore dhe i zbatojnë politikat e Këshillit Prokurorial, në të kundërtën do të vazhdohet me avazin e deritashëm. Kështu që edhe pse Këshilli Prokurorial çdo vit del me raporte dhe statistika lidhur me sekuestrimin e përkohshëm të pasurisë së fituar me vepër penale, e cila kalon dhjetëra miliona euro.  Por tërë këto sekuestrime në fund përfundojnë me një shumë simbolike të konfiskimit të përhershëm që matet më dhjetëra mijëra euro, të cilat i kthehen buxhetit të shtetit, e cila shumë është minimale dhe tregon vullnetin dhe përkushtimin e këtij sistemi në zbatimin e ligjeve dhe politikave të miratuara nga vetë Këshilli”, thekson ai për arbresh.info

Ai përmendi edhe punën e IKD-së që në mënyrë të vazhdueshme përmes monitorimit të punës së prokurorive dhe Këshillit Prokurorial, ka konstatuar se  zbatimi i planit të veprimit për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit i miratuar më 4 nëntor 2013, siç tha ai asnjëherë nuk është marr seriozisht qoftë nga vetë Këshilli Prokurorial apo nga prokuroritë dhe kjo dëshmohet edhe përmes raporteve statistikore ku për çdo vit ka rritje të numrit të rasteve të pazgjidhura të korrupsionit nëpër prokurori.

“ IKD  në mënyrë të vazhdueshme ka raportuar lidhur me mënyrën e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit, ku numri më i madh i lëndëve të korrupsionit (mbi 50% të tyre)  janë mbyllur në prokurori, duke i hudhur kallëzimet penale apo duke i pushuar hetimet. Këshilli Prokurorial që nga themelimi tij, ka hartuar dhe miratuar politika dhe strategji shumë të avancuara dhe praktike që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit, krimeve ekonomike apo sekuestrimin apo konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Gjithashtu, janë krijuar mekanizma për të mbikëqyrur zbatimin e politikave dhe strategjive të lartëpërmendura. Por, fatëkeqësisht këto kanë mbetur vetëm dokumente në letër dhe mekanizma joefikas, pasi nuk janë zbatuar në praktikë”, ka thënë Musliu./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara