Mitrovicë, këtë javë fillojnë dëgjimet buxhetore për buxhetin e vitit 2020-2022

14:07 | 8 Korrik 2019

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Fillimisht drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, ka prezantuar raportin e punës së komisionit për vlerësimin e kontratave në “Zonën Industriale” në fshatin Frashër. Drejtori Jashari tha se ky raport është bazuar në dokumentacionin e komunës në vendimet e Kuvendit Komunal, kontratat duke bërë analizë mbi regjistrimin e drejtës së shfrytëzimit tek librat kadastral si dhe procedurat e lejeve të ndërtimit.

Me këtë rast bordi i drejtorëve u pajtuan të ftohen operatorët për një takim të përbashkët dhe të diskutojnë për të gjeturat e këtij raporti.

Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës me datën 05.07.2019 dhe 06.07.2019 kanë inspektuar lokalet që shkaktojnë zhurmë në orët e vona të mbrëmjes.

Po ashtu prapë me datën 07.06.2019 inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar edhe subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës, me ç’rast vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.

Në fund drejtori për Buxhet dhe Financa, Shukri Gashi, njoftoi bordin lidhur me orarin e mbajtjes së dëgjimeve buxhetore për projekt- buxhetin e komunës për vitin 2020-2022, me ç’rast do të mbahen gjithsej gjashtë dëgjime, në të cilat do të marrin pjesë qytetarë, përfaqësues të OJQ-ve, shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve dhe grupeve tjera të interesat, të cilët kanë mundësinë të japin vërejtjet dhe propozimet e tyre që do të bëhet përpjekje të përfshihen në buxhet./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara