Ministri Veliu mbajti takim me Ministrat e Brendshëm të MARRI-t

14:16 | 30 Qershor 2020

Ministri i Punëve të Brendshme,  Agim Veliu, sot udhëhoqi takimin e Forumit të MARRI-t, nën presidencën e Kosovës, në të cilin takim morën pjesë edhe Ministrat e Punëve të Brendshme të shteteve anëtare të Iniciativës Rajonale për Migrim, Azil dhe Migracion (MARRI), transmeton arbresh.info.

Me këtë rast, ministri Veliu theksoi se është punuar shumë që prioritetet e MPB-së të reflektojnë me nevojat dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi. Ai tha se ka pasur një angazhim maksimal nga ana e sekretariatit të MARRI-t për realizimin e këtyre prioriteteve, së bashku me partnerët tanë nga organizatat e ndryshme.

Ministri Veliu gjithashtu shprehi mirënjohjen e tij se gjatë presidencës u nënshkrua një ndër projektet më të rëndësishme për të ardhmen me GIZ-in gjerman, në vlerë prej 5 milion eurove, projekt për “Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ballkanin  Perëndimor”, dhe se me këtë projekt shteti gjerman edhe një herë demonstroi përkushtimin serioz për shtetet tona.

MARRI përfaqëson një instrument mjaft të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e informatave e përvojave si dhe është standard i sigurisë, migrimit dhe azilit.

Në kuadër të mandatit të saj, për secilin shtet pjesëmarrës MARRI mundëson njohjen, afrimin dhe bashkëpunimin konstruktiv të zyrtarëve të shteteve pjesëmarrëse në këtë organizatë.

Republika e Kosovës është anëtare e kësaj organizate që nga viti 2015 me të drejta të plota e cila përbëhet nga shtetet si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia veriore dhe Serbia.

Prej Qershorit të vitit të kaluar deri më sot, Republika e Kosovës ka kryesuar me Presidencën e MARRI-t , ndërkaq tutje me presidencë do të udhëheq Mali i Zi, ku Republika e Kosovës i dëshiron suksese në implementimin e prioriteteve të tyre. /arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara