Ministri Ismaili përuron Ambulancat e reja Specialistike të ORL-së dhe Oftalmologjisë

12:07 | 22 Janar 2020

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot objektin e rinovuar të Ambulancave Specialistike të klinikës së ORL-së (Otorinolaringologjisë-klinika për sëmundje të veshit, hundës e fytit) dhe Oftamologjisë (Klinikës së syve).

Gjatë përurimit, ministri Ismaili ka thënë se ky objekt është i pajisur me aparaturë moderne për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta shëndetësore.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që shoh një objekt modern për ofrimin në mënyrë dinjitoze të shërbimeve shëndetësore”, tha ministri Ismaili.

Ministri Ismaili theksoi se në objektin e ri do të bëhet e mundur shtimi i numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim, duke ruajtur kështu shëndetin dhe xhepin e tyre.

“Në këtë objekt të ri do të hiqen pabarazitë, shtohet numri i shërbimeve dhe do të zvogëlohen shpenzimet financiare të qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë diku tjetër deri më sot”, tha ministri Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se në objektin e rinovuar, pacientët dhe profesionistët shëndetësorë kanë kushte shumë më të mira për ofrimin dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore.

“Tani në një ambient të transformuar është një kënaqësi e veçantë pasi pacientët kanë ku të vijnë, duke respektuar radhën dhe duke pasur qasje në ambiente komode me pajisje moderne”, tha drejtori Sejdiu.

Drejtori i ORL-së, Hajdin Thaçi, deklaroi se përmes këtij investimi do të zvogëlohen edhe pakënaqësitë e pacientëve.

“Pas 30 vjetësh këto hapësira janë shndërruar në hapësira moderne të pajisura me gjithë infrastrukurën përcjellëse për shërbime dinjitoze për pacientët”, tha drejtori Hajdin Thaçi.

Shërbimet ambulantore specialistike oftamologjike deri më sot janë ofruar në katin përdhesë të kësaj klinike, në kushte jo adekuate për shërbime shëndetësore./arbresh.info

Lajmet më të lexuara