Mësuesi “problematik” nga Lipjani që shkruan në ditar çka të dojë

10:08 | 7 Korrik 2019 | Alban Begolli

Një mësues në Lipjan akuzohet se po vlerëson nxënësit duke i pyetur për temat që nuk i ka shpjeguar dhe thotë se në ditarë shkruan çka të dojë.

Arsimtari i lëndës së Kimisë Sefedin Kozhani, i cili aktualisht është duke kryer detyrën e tij në shkollën fillore  “Vëllezërit Frashëri” të Lipjanit, pretendohet se nxënësit e klasës së tij i ka vlerësuar me nota të ulëta pasi që i kishte pyetur në lidhje me temat që nuk i kishte shpjeguar fare.

“Nuk ka nevojë për kurrgjë, ka dhënë deklaratë DKA-ja, unë nuk flas më, vlerësimin do e bëjë komisioni që është formuar. Unë në ditar e kam shkruar atë që kam dashtë dhe me mua nuk keni punë kurrgjë”, deklaroi Kozhani për arbresh.info.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan Avni Jashari, bënë të ditur se mësuesi në fjalë më parë kishte punuar edhe në disa shkolla tjera, por edhe atje kishe probleme të tilla dhe që në shkollën  “Vëllezërit Frashëri”, kishte ardhur në krye të detyrës si rezultat i mungesës së arsimtarit për lëndën e Kimisë.

“Në Sh.F.M.U, ‘Vëllezërit Frashëri’ kohë më parë u lirua pozita për një arsimtar të lëndës së Kimisë, Edhe pse me konkurs, në këtë pozitë vjen një arsimtar me probleme të shumta që e kishin shoqëruar në shkollat paraprake, në Malishevë dhe atë të fshatit Dobrajë të komunës sonë”, tha Jashari.

Jashari më tutje tha se arsimtari në fjalë kishte ardhur në pozitë drejtpërdrejt nga qarqet politike dhe vlerësoi nxënësit duke i pyetur për temat që nuk i kishte shpjeguar më parë.

“Arsimtari në fjalë i ardhur në pozitë drejtë për së drejti nga qarqet politike komunale, përveç mënyrës aspak pedagogjike, ai me tri tema i dërrmoi nxënësit me notim skandaloz pa përfillur fare kërrikullin e arsimit“, deklaroi Jashari.

Ankesat e prindërve në lidhje me Arsimtarin Kozhani ishin të shumta, ku si rezultat Këshilli i Prindërve të një klase dërgoi një ankesë në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Lipjan.

E kontaktuar në lidhje me temën Fitore Bikliqi, kujdestarja e një klase në këtë shkollë, duke mos pranuar të prononcohet para kamerave, pohoi që ankesë e tillë ekziston dhe se rasti tashmë është në duart e Drejtorisë së Arsimit në Lipjan.

Kurse drejtor i kësaj shkolle Jakup Bahtiri duke i pohuar të gjitha pretendimet në lidhje me mësuesin, edhe pse në fillim pranoi të prononcohet për arbresh.info, kur ekipet tona arritën në shkollë deklaroi se i kishte dalë një punë.

Nga ana tjetër pretendimet në lidhje me arsimtarin Sefedin Kozhani, i ka pohuar edhe Drejtori i Arsimit të Komunës së Lipjanit Rasim Hasani.

Hasani, në prononcimin e dhënë për arbresh.info, deklaroi se nga drejtoria e shkollës  kishte pranuar një ankesë dhe se nëse është nevoja do të formojë një komision për rivlerësim të nxënësve.

“Është e vërtetë që ka ankesa në lidhje me mësuesin. Ne kemi mekanizma sipas të cilave mund të veprojmë . Mirëpo problemi i këtij mësuesi është se ka ardhur nga një shkollë tjetër dhe atë gati në fund të vitit. Mund të jetë të kenë probleme nga kjo arsyeje. Siç thashë, ne kemi mekanizma, do të veprojmë sipas tyre. Nëse është nevoja mund të formojmë një komision për rivlerësim të nxënësve”, u shpreh Hasani.

Sefedin Kozhani ka 30 vjet që ushtron profesionin e mësimdhënësit./Alban Begolli/arbresh.info/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara