Më 12 korrik mbahet Gara Republikane e Diturisë

14:45 | 8 Korrik 2019

Gara Nacionale e nivelit republikan do të mbahet më 12 korrik 2019, në hapësirat e kampusit universitar të AAB-së, Rr. ”Elez Berisha”, nr. 56, Zona Industriale Prishtinë – Fushë Kosovë.

Së shpejti KNKRS-ja do të publikojë emrat e të gjithë pjesëmarrësve garues në shkallë vendi dhe të gjithë do të njoftohen me kohë dhe në hollësi se në çfarë salle i nënshtrohen testit.

Të gjithë pjesëmarrësit e garës duhet të jenë në ora 9:00 në hapësirat e kampusit universitar të AAB-së dhe testi fillon saktë në ora 10:00. Të gjithë nxënësit do të hynë në garë në të njëjtën kohë dhe gara është njëditore, që do të thotë se përfundon brenda së njëjtës ditë. Në garën nacionale të Diturisë, niveli republikan, do të marrin çmime dhe do të shpërblehen vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tretë. Të gjithë nxënësit duhet të kenë me vete së paku dy lapsa kimikë ose lapsa të thjeshtë për klasa më të ulëta, para se të futen në test, kurse nxënësit që garojnë në matematikë mund të kenë me vete vizore dhe kompas.

Të gjithë nxënësit duhet t’i përmbahen udhëzimit të MASHT-it sa i përket celularëve dhe pajisjeve tjera elektronike, të cilat duhet t’i fusin në çantë para se të fillojë testi, deri në momentin kur ata të dorëzojnë testin dhe të dalin nga klasa. Të gjithë nxënësit duhet të respektojnë etikën e testit, të mos kopjojnë apo të mos i falsifikojnë përgjigjet. Të gjithë nxënësve ju ndalohet të kërkojnë ndihmë apo të bëjnë pyetje të cilat ndikojnë në përgjigjet e pyetjeve.

Të gjithë nxënësve u lejohet të bëjnë pyetje në lidhje me paqartësinë e formatit të testit. Të gjithë nxënësit obligohen të shkruajnë emrin, mbiemrin dhe ta vënë nënshkrimin në çdo faqe të testit, nxënësit e klasave III-V e shkruajnë vetëm emrin dhe mbiemrin nëpër çdo faqe të testit. Nxënësve u ndalohet përdorimi i kalkulatorit.

Nxënësve të Klasave VI-XII nuk u lejohet dalja nga klasa, përveç nxënësve të cilët do t’u nënshtrohen testeve mbi 90 minuta dhe në raste të tilla administratori i testit kujdeset që nxënësi të kthehen në sallë në afat sa më të shkurtër kohor. Nxënësit duhet të vijnë në garat e nivelit republikan në Prishtinë në mënyrë të organizuar dhe në përcjellje të shkollave prej nga ata vijnë.

Nga çasti që të gjithë nxënësit arrijnë në hapësirat e kampusit universitar të AAB-së, do të regjistrohen në cilësinë e pjesëmarrësit të garave dhe deri në përfundim të tyre do të jenë nën mbikëqyrje të KNKRS-së. Për të gjithë nxënësit garues do të ketë ushqim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara