“Mbi kontributin e Zëvendëskryeministrit Pacolli në luftë, paqe dhe zhvillimin ekonomik”

20:45 | 16 Prill 2018

Kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu pas dorëzimit të titujve “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”, Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli ka thënë se kanë  shumë arsye që t’ia dorëzojnë këta tituj pikërisht Pacollit, pasi që sipas tij vepra e tij në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me Kukësin.

Fjalimi i plotë:

I dashur Qytetari më i ri i Kukësit, Behgjet Pacolli,

të nderuar autoritete vendore nga Kosova dhe Shqipëria, deputetë, qytetarë nga të gjithë anët e kombit,

Dikush mund të thotë, se pse 19 vjet më vonë,  pas eksodit prej genocidit serb të gjysmës së kombit, Kosovës në Kukës,  ne të zgjedhurit vendorë të bashkisë dhe qarkut Kukës, pa dallime partiake, kemi vendosur t’ju blatojmë juve me titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Kukësit”.

Unë them se kemi shumë arsye, që juve, një ndërmarrës me famë globale, krenar për origjinën tuaj,  i dekoruar me titullin “Nder i Kombit”, nga Presidenti i Shqipërisë,

Qytetar Nderi i Korçës, i Lezhës, me nderime nga SHBA, Italia, Peruja, etj, pra kemi shumë arsye që t’Ju akordojmë këto tituj.

Vepra juaj në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me

Kukësin, ka shumë lidhje me 16 prillin, ditën kur dhjetëra mijëra bashkëpatriotë tanë të Kosovës, u vendosën këtu.

Ju, i nderuar Behgjet nuk jeni mburrur kurrë për shumë aspekte të jetës suaj.

Po ne duhet t’jua përmendim sot në këtë ditë nderimi.

Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare.

Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj.

Kompania Juaj Mabetex ka ndihmuar kampet e të ikurve në Zonën e Kukësit, ashtu si dhe ato të zhvendosurve në Mal të Zi.

Po ju e keni ndihmuar Kukësin dhe në kohë paqeje.

Të afërm tuaj kanë sjellë ndihma për fshatra të thellë të Qarkut tonë.

Më lejoni të them dhe diçka për vizionin e një burrështetasi.

Vizionin e kanë ata njerëz, ata burrështetas që shikojnë lart- më lart se Malet tona.

Vizionin e kanë ata njerëz, ata burrështetas që shikojnë Larg- më larg se hunda jonë, po se po, por shumë larg, edhe në fund të botës.

Ju, i dashur Behgjet po na ndihmoni me Vizionin Tuaj për rrëzimin e atyre kufijve që kanë mbetur ende mes nesh.

Dhe do të na ndihmoni akoma më shumë kur ky Vizion të bëhet realitet.

  • Platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me Qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor. Minierat tona kanë mbajtur Shqipërinë.
  • Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët;
  • koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës,
  • janë shpëtimtare për këtë Zonë, të varfër, por dinjitoze.

Tani që ju jeni në qeverisje, që bashkëpunimi me Shqipërinë është real, ne do donim që ky Vizion Juaji të bëhet realitet.

Ja pse ne ju japim çelësin e shtëpisë sonë mikpritëse, që  ju të mos e harroni Kukësin.

Ju i dashur Qytetari ynë më i ri, e keni Vizionin. Ne thjesht duhet t’ju ndihmojmë, në Shqipëri, në Kosovë që ju ta jetësoni atë.

Dhe meqë këtu mes nesh ka politikanë, do doja t’ju bëja thirrje ta ndiqni me vëmendje modelin e këtij njeriu, që e ka arritur gjithçka nëpërmjet punës. Ai është modest si njeri prej nesh, si një bashkëfshatari jonë. Sepse ai është njeri, sepse ai prej sot është një Kuksian.

Falemnderit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara