Matje temperature e tunel dezinfektues, këto janë kontrollet në Aeroportin “Adem Jashari”

09:04 | 4 Korrik 2020 | Ardita Zeka

Pas më shumë se tre muaj tash e disa ditë kanë filluar fluturimet në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Por më ndryshe ngase jemi mësuar pasagjerët që udhëtojnë jashtë vendit po iu nënshtrohen disa rregullave më strikte për dallim nga herët tjera.

Kështu thotë për arbresh.info, Zyrtari për Informim në Aeroportin e Prishtinës, Bujar Gashi.

Ai tha se, mbajtja e maskës dhe dorezave dhe matja e temperaturës janë disa nga masat që ju kërkohen qytetarëve në hyrje.

“Aeroporti i Prishtinës që nga shfaqja e pandemisë ka funksionuar ngushtë me institucionet relevante me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetësisë Publike, dhe në bazë të rekomandimeve të tyre kemi vepruar. Aeroporti i Prishtinës ka venë në funksion disa masa të cilat edhe janë prezantuar përmes rrjeteve sociale. Mbajtja e maskës dhe dorezave dhe  matja e temperaturës janë disa nga masat që ju kërkohen qytetarëve në hyrje”, tregoi ai.

Gashi thotë se në brendësi të aeroportit janë vendosur shenjat për mbajtje të distancës, si dhe dezinfektues për duart.

“Ndërsa një ndër masat tjera që po synojmë ta aplikojmë është edhe mos futja e atyre personave të cilët nuk do të udhëtojnë, por siç po shihet kemi një numër të konsiderueshëm të personave që po vijnë ti presin mërgimtarët.Po ashtu Aeroporti i Prishtinës brenda në hapësirë ka vendosur disa shenja që i informon qartë qytetarët për mbajtjen e distancën dhe udhëzime të tjera përkatëse”, ka thënë ai.

Por, edhe pse është e ndaluar hyrja brenda në Aeroportin e Prishtinës për qytetarët që nuk do të udhëtojnë, numër i madh po prisnin tek hyrja  të afërmit e tyre.

Anila Rashiti  e cila sot po udhëtonte nga Prishtina për në Gjenevë,  masat e ndërmarra i sheh si të mira për mbrojtje të jetës së qytetarëve.

“Si fillim kam hy tunel dezinfektues, ma kanë matë temperaturën, dhe mbajtën e maskës, dhe mu duk shumë mirë që i kanë vendos këto masa”, tha ajo.

Edhe qytetarja Afërdita Mjaku, sot udhëtonte nga Prishtina për në Gjenevë, e që për të janë në rregull masat që janë ndërmarrë nga ANP “Adem Jashari”.

“Unë po shkoj në Gjenevë dhe masat që i bëra posa hyra në aeroportin e Prishtinës është hyrja në tunelin dezinfektues, matja e temperaturës, dhe vendosja e maskës”, tha ajo.

E, Fatmir Rashiti i cili kishte ardhur nga Cyrih tregoi se nuk i është nënshtruar asnjë lloj procedure për të ardhur në Kosovë.

“Unë kam ardhur nga Gjeneva masat kanë qenë me vendos një maskë në aeroplan gjatë udhëtimit, dhe këtu na e kane mat vetëm temperaturën. Ndërsa sot po ateroj përsëri për në Gjenevë”, pohoi ai.

E njëjtë thotë edhe Brahim Blakaj i cili kishte ardhur nga Cyrihu në Kosovë.

“Unë sot kam ardhur nga Cyrih atje në aeroport nuk kemi pasur asnjë kontrolle, përveç vendosja e maskave, rrugës kemi kaluar shumë mirë”, tregoi ai.

Ndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, për më shumë se tre muaj nuk ka pasur fluturime për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria e vendit për mbrojtje nga COVID-19./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara