Marrëveshja “Bruksel 2” Kosovës i mundëson anëtarësim në OKB

08:08 | 16 Qershor 2015

Nëse nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare qeverinë aktuale të Serbisë e pret nënshkrimi i marrëveshjes së obligueshme ndërkombëtare me Prishtinën, njoftojnë mediat serbe.

Sipas gazetës beogradase “Blic”, Perëndimi planifikon që me këtë dokument t’i mundësohet Kosovës anëtarësimi në OKB, Këshillin e Evropës, OSBE dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare.

“Marrëveshja e re me Prishtinën, e njohur si ‘Bruksel 2’, që e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare është e paraparë me kornizën strategjike të BE-së për bisedime me Serbinë dhe duhet të nënshkruhet deri në fund të bisedimeve. Kurse, qëllimi i qeverisë së Serbisë është që Serbia të anëtarësohet në BE më së largu deri në fund të vitit 2018”, shkruan “Blic” , transmeton Indeksonline.

Qëllimi i Perëndimit është që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe kjo, sipas gazetës serbe, është tashmë ‘fshehtësi publike’ në qarqet diplomatike dhe se kreu i shtetit serb është i njoftuar për këtë.

“Edhe pse burimet perëndimore theksojnë se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk do të thoshte se Beogradi po e formalizon njohjen de jure të pavarësisë së Kosovës, por kjo është në pajtim të modelit të ‘dy Gjermanive’”, shkruan tutje gazeta serbe.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, siç merr vesh “Blic”, gjatë vizitës në Beograd më 8 dhe 9 korrik, para kreut të shtetit serb do ta paraqes qëndrimin se Kosova duhet të hyjë në OKB.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara