Manaj: Marrëveshja e Washingtonit më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë

19:11 | 15 Shtator 2020

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Shkëmb Manaj, ka thënë që njohja nga Izraeli është moment historik për Kosovën.

Manaj në Info Magazine në Klan Kosova tha se takimet e 4 shtatorit i kanë dhënë përgjigje kundërshtarëve të Pavarësisë së Kosovës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqishëm të përkushtuar në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Unë vlerësoj edhe Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që kjo ngjarje është historike për Kosovën. Kjo njohje kualitative që vjen nga shteti i Izraelit dhe kjo tregon që takimet e 4 shtatorit kanë qenë historike për Kosovën dhe mesazhi më i mirë është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dhënë edhe Serbisë dhe të gjithë kundërshtarëve të Pavarësisë së Kosovës është që përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i fuqishëm dhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë fuqishëm vazhdimisht në përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar duke krijuar rrethana të reja për njohjë të Kosovës, për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO që janë formula e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Lidhjes Nacionale për Liri dhe Pavarësi, që prej viteve 90-ta ku presidenti ynë historik Ibrahim Rugova, me formulën e tij të famshme që tash është formulë politike jo vetëm e Lidhjes Demokratike të Kosovës por edhe shtetit të Kosovës”.

Ai shtoi se Marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar më 4 shtator në mes Kosovës dhe Serbisë është më e rëndësishmja që nga shpallja e Pavarësisë.

“Shteti i Kosovës duhet të jetë shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shtetet e tjera dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vlerësojmë që e gjithë Marrëveshja është historike. Është Marrëveshje historike për shtetin e Kosovës. Është marrëveshja më e rëndësishme që Kosova ka lidhur që nga Shpallja e Pavarësisë”.

“Është moment historik sepse pas 30 vjetëve shteti i Kosovës dhe i Serbisë, arrin të takohen së bashku në zyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë kërkesë e kamotshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimit që se Kosova dhe Serbia duhet të jenë dy shtete të pavarura duke qenë garant Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Deputeti i LDK-së theksoi se me këtë marrëveshje është arritur që Serbia të del para SHBA-ve pa përfshirjen e Rusisë.

“Është shumë e rëndësishme që kemi arritur ta vendosim Serbisë para SHBA-ve dhe para presidentit të SHBA-ve pa praninë e Rusisë dhe pa faktorët e tjerë vendimmarrës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

“Unë mendoj që fitues në këtë proces është Kosova. Por, unë mendoj po ashtu që fitues është edhe rajoni dhe Ballkani Perëndimor. Kjo është një hapje e re edhe për Kosovën edhe për Serbinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian por edhe në NATO”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara