Makolli: Serbia po mundohet t’i fshehë gjurmët e saja nga lufta e fundit në Kosovë

Ibrahim makolli
10:39 | 5 Dhjetor 2020 | Elmedina BALLAZHI

Ende janë duke vazhduar gërmimet në Kizhevak të Serbisë, në një lokacion afër Rashkës.

E tek këto gërmime bëhet fjalë për mbetjet mortore të disa personave që dyshohet të jenë të atyre që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Kryetari i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit, Ibrahim Makolli, në një intervistë për arbresh.info, ka thënë se ky është lokacioni i pestë i varrezave masive të shqiptarëve në Serbi dhe se kjo e fundit po mundohet t’i fshehë gjurmët e saja nga lufta e fundit në Kosovë.

Rashke

“Është lokacioni i pestë me varreza masive të gjendur në territorin e Serbisë, e kjo dëshmon për planifikimin paraprak të vrasjes dhe të zhdukjeve nga ana e kreut shtetëror serb në atë kohë dhe zbatimit në përpikëri të zbatimit sistematik nga ana e ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe që ka të bëjë me qëllimin për fshehjen  e gjurmëve të gjenocidit”, ka thënë Makolli.

Ai ka thënë se tek këto varreza masive kanë ardhur përmes pamjeve satelitore të ofruar nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

“Në këtë lokacion punohet tash e pesë vite, ndërkaq deri tek vendi i saktë kemi ardhur përmes pamjeve satelitore të ofruar nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ne tash kem një ndërlidhje të këtij lokacioni, sepse ndërlidhet po ashtu me varrezën masive të gjendur në vitin 2014 vetëm disa kilometra në vendin Rudnica, të cilën janë gjendur trupat e 54 shqiptarëve të vrarë e të masakruar, të varrosur fillimisht në Kosovë e pastaj të zhvarrosur për tu varrosur në varrezën masive ne Rudincë”, ka thënë Makolli.

Kryetari i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit, Ibrahim Makolli, ka shtuar se nuk mund ta dinë se sa është numri i saktë i personave të varrosur në këtë varrezë.

Rashke

“Nuk mund të japim shifra për derisa nuk kemi trajtim të plotë të lokacionit ne nuk mund ta dimë se sa është numri i saktë i personave të varrosur në këtë varrezë,  e ndoshta autoritetet e Beogradit mund ta dinë më mirë sepse ata i kanë transportuar dhe varrosur në këtë vend, nuk mund të flasim për numrin e personave dhe lokacionin se nga vijnë këta persona”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ngadalësimi në procesin e zgjidhjes së rasteve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovës, nënkupton se mbi 1600 familje vazhdojnë të presin pafund për më të dashurit e tyre të cilët u zhdukën qe dy dekada.

Bëjmë të ditur se dje kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odaloviq kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie në lokacionin e varrezave masive në Kizhevak të Serbisë, atje ku dyshohet për mbetje mortore të shqiptarëve janë të angazhuar ekipe nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, pastaj misioni i EULEX-it, përfaqësues nga Serbia dhe mjek ligjorë nga Kosova./E.Ballazhi/Arbresh.info

Lajmet më të lexuara