Lunaçek e Brok komentojnë zhvillimet e fundit për Eulex-in

21:45 | 15 Prill 2015

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, njëkohësisht edhe raportuese për Kosovën, si dhe kreu i komitetit të Jashtëm në PE, Elmar Brok vlerësojnë shpërndarjen e menjëhershme të raportit mbi EULEX nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, por shumë çështje mbeten ende të hapura, sipas tyre.

“Zoti Jacquè konkludon se zonja Bamieh nuk është përgjegjëse për rrjedhjen e informacionit në shtyp, siç u akuzua fillimisht, por nuk bëhet e qartë nëse fajtorët janë gjetur dhe nëse janë vënë para përgjegjësisë”, thuhet në qëndrimin e tyre të përbashkët.

Për të dy eurodeputetët, “raporti thekson qartë se, mungesa e hetimeve lidhur me pretendimet e ngritura në 2012 dhe mungesa e informacionit në Bruksel është problematike, por nuk sqaron shkaqet pse ka ndodhur kjo. Sikur kjo të trajtohej menjëherë dhe sipas procedurave standarde, shumë çështje që kanë lindur më pas mund të ishin shmangur”.

Parlamenti Evropian kujton se shumë nga rekomandimet e ekspertit të pavarur janë ngritur dhe në rezolutat vjetore për Kosovën, si “kushtet afatgjata të punës për gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, për të siguruar menaxhimin e pandërprerë të rasteve”.

Dy eurodeputetët theksojnë “nevojën për të adresuar urgjentisht çështjet themelore, që vënë në pikëpyetje efektivitetin dhe besueshmërinë e EULEX-it dhe të BE-së, sikundër dhe besueshmërinë e Gjyqësorit të Kosovës”.

“Ne po presim sqarime shtesë mbi këto çështje të hapura, si dhe mbi nevojën e ndjekjes së tyre, për të garantuar se BE është një aktor efektiv në rajon”, përfundon qëndrimi i përbashkët Brok-Lunaçek, i publikuar në “European Western Balkans”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara