Limaj: Vendimi për rinumërim të pjesshëm i KQZ-së, i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit

15:37 | 10 Tetor 2019

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të KQZ-së për rinumërim të pjesshëm të kutive të votimit.

Limaj ka thënë se ky vendim për rinumërim të pjesshëm është i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit.

Kreu i Nismës, duke iu referuar gabimit në formularë të cilin vetë e ka pranuar KQZ ka kërkuar rinumërim të votave në tërësi.

“Nuk ka nevojë të pritet raporti i QNR-së për të zbuluar gabimin për të cilin vetë znj Daka ka konstatuar që formulari është lëshuar me gabime nga sekretariati i KQZ-së. Ky vendim do të kishte kuptim sikur të kishte dy formularë të ndryshëm. Por përderisa dihet se është vetëm një formular i shtypur në një vend dhe i shpërndarë në të gjitha vendvotimet e Kosovës, atëherë shtrohet pyetja si është e mundur që një formular nuk mund të procedohet për 300 kuti, derisa qenka e mundur të procedohet për mijëra kuti të tjera. Ky është aplikim i standardeve të dyfishta që do të thotë për një kuti mund të procedohet, për kuti tjera s’mund të procedohet”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në ‘Facebook’.

Më tutje, Limaj shkruan se si mund të vlerësohet e pranueshme apo e ligjshme ndërhyrja në formularë nga ana e personave të paautorizuar (komisionarëve në vendvotime) pa autorizimin e organit kompetent.

“Ne kërkojmë urgjentisht që KQZ ta pranojë gabimin në tërësi dhe jo pjesërisht dhe të krijojë kushte për rinumërim të secilës kuti për të nxjerrë rezultatin zgjedhor ashtu siç është brenda kutive dhe t’i eliminojë të gjitha këto gabime skandaloze, shtrembërimin e rezultatit dhe shumë defekte që janë përcjellë nga ky gabim”, ka theksuar Limaj.

Krejt në fund, Limaj thotë se KQZ e di mirë se pa eliminuar këtë gabim, duke rinumëruar në tërësi çdo kuti të votimit, nuk do të jetë në gjendje të shpallë rezultat zgjedhor në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara