Limaj: Nisma ka marrë oferta – LDK, VV e PDK le të garojnë të vetme

19:37 | 6 Gusht 2019

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, dhe sipas tij, shpërndarja e Kuvendit është hapi drejt ofrimit të më së mirës për qytetarët e vendit.

“Kuvendi i Kosovës në shumicën e rasteve nuk ka mundur të ketë kuorum, kjo për shkak të një pozite të kufizuar dhe një opozite e cila ka bojkotuar në shumë raste punën dhe mungesa e votave për të kaluar ligjet ka bërë që Kuvendi të mos mund ta kryej punën si duhet”, ka thënë Limaj në RTK.

Sipas tij, Nisma është e gatshme për zgjedhje dhe disponimi i deritashëm është të garojë e vetme.

Ai po ashtu tha se partitë e mëdha – Lidhja Demokratike e Kosëvës, Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës – duhet t’i masin forcat të vetme sepse vendin e presin sfida të mëdha si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Gjykata Speciale e shumë çështje me interes nacional.

Limaj tha se ka oferta nga të gjitha partitë për një koalicion të mundshëm para ose pas zgjedhor.

Ai deklaroi se partia e tij është mirë e struktururar dhe me projekte në interes të qytetarëve dhe vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara