Ligji për buxhetin ende nuk i ka shkuar Presidentit, dekretimi mbanë peng zbatimin e pakos emergjente

08:30 | 4 Gusht 2020 | Agnesa Çitaku

Gjithçka gati, pako emergjente do të ekzekutohet menjëherë pas dekretimit nga Hashim Thaçi.

Javën që lamë pas Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

E këto plotësime dhe ndryshime duhet të dekretohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, ende nuk kanë arritur te ky i fundit.

Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar Agim Krasniqi, zëvendësministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Ai ka thënë se ende është duke punuar në këto amendamente, ndërsa pritet që nesër të arrijnë te Thaçi.

“Ende është duke u punuar në Kuvendin e Kosovës që të rregullohen të gjitha amendamentet dhe ligji dhe besoj sot ose nesër duhet të shkojnë nga Kuvendi te Presidenti”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se Presidenti do ta dekretoj ligjin para afatit të paraparë kohor.

“Ne po besojmë se nëse nuk do të ketë problem dhe zakonisht Presidenti nuk i shfrytëzon 8 ditë, besoj se edhe kësaj radhe ai do ta aprovoj sikur herën e kaluar për buxhetin e rregullt”, tha Krasniqi.

Teksa ka shtuar se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe ekzekutimi i pakos emergjente do të bëhet menjëherë pas dekretimit.

“Ne jemi duke u përgatitur si ministri që të fillojmë brenda javës të filloj ekzekutimi i pakos emergjente. Teknikisht bëhen të gjitha përgatitjet dhe në momentin e parë që të dekretohet ligji të kërkohet mbulimi i pjesëve ku janë marrë paratë më herët dhe të sjellin listat e reja që të ekzekutohen të gjitha pakot emergjente dhe të gjitha obligimet që i kanë ministritë”, ka thënë ai.

Pako Emergjente Financiare në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh është miratuar nga ish-Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti.

Përmes kësaj pako ndër të tjera punëtorët është planifikuar të marrin nga 170 euro për dy muaj, pagesa e parë është bërë për një pjesë të përfituesve, ndërsa jo edhe e dyta për ata që tashmë kanë përfituar nga pakoja.

Ish-kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte shpjeguar qëllimet e pakos emergjente.

“Së pari, të ofrojë ndihmë financiare për shtresat më të varfra gjatë pandemisë COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Së dyti, të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative, në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, por edhe të sigurohet që bizneset kanë mundësi që të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente. Së treti, të ofrojmë likuiditet shtesë për bizneset, në mënyrë që të stimulohet rritja e aktivitetit ekonomik. Së katërti, të stimulohen punëtorët e sektorëve esencialë gjatë gjendjes së emergjencës, të cilët janë të ekspozuar më së shumti ndaj rrezikut të infektimit dhe, së pesti, të stimulohet punësimi dhe formalizmi në sektorin privat”, kishte thënë ai.

Ndryshe, Banka Botërore në një raport të saj kishte parashikuar një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit, por që edhe aktualisht disa nga masat kufizuese janë në funksion./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara