Lekaj: Serbia e sotme nuk dallon nga Serbia kriminale e viteve të ’90-ta

19:48 | 29 Tetor 2020

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës së Ardhmërisë së re (AAK) ka thënë se Serbia e sotme nuk dallon me atë të Sllobodan Millosheviqit, duke shtuar se forma e betimit të qeverisë së re në Serbi është sulm mbi sovranitetin e Kosovës.

Lekaj, njëherësh edhe ish-ministër i Infrastrukturës, nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, i ka bërë thirrje BE-së që të reflektojnë lidhur me këtë gjë.

“Zgjedhja e Qeverisë serbe mbrëmë nën betimin e tyre që do të kujdesen ta ruajnë Kosovën dhe Metohinë është një sulm mbi sovranitetin e Republikës tonë”, ka thënë përfaqësuesi i AAK-së.

“Kjo tregon edhe njëherë se ata janë ende nën mendësinë e kryekriminelit Millosheviq dhe kjo duhet të jetë një alarm për BE-në që para se të kërkojnë që Kosova ta ndryshojë kushtetutën, duhet t’i thërrasin mendjes e të kuptojnë përfundimisht që Serbia e sotme nuk ka asnjë ndryshim nga Serbia kriminale e viteve 90”, ka shtuar ai tutje.

Përgjatë ditës së djeshme Parlamenti i Serbisë votoi qeverinë e re, të kryesuar nga kryeministrja Ana Bërbnabiq, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në vend më 21 qershor të këtij viti.

Qeveria e re përbëhet nga Partia Progresive Serbe (SNS), Partia Socialiste e Serbisë (SPS) dhe Bashkimi Patriotik Serb (SPAS).

Nga 232 deputetë që morën pjesë në votim, 227 votuan pro qeverisë së re, ndërsa pesë deputetë votuan kundër saj.

Lajmet më të lexuara