“LDK-ja gjithmonë e gatshme ta hetojë SHIK-un”

18:13 | 3 Nëntor 2019

Grupet punuese të LDK-së dhe VV-së ditën e enjte kanë mbajtur takim ku kanë diskutuar për sigurinë dhe drejtësinë. Pas takimit, ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi në një konferencë për media deklaroi se ndër të tjera është diskutuar edhe formimi i Zyrës Shtetërore për Hetim që do të hetojë krimet e vjetruara sidomos ato politike. Zyrtarë të LDK-së për vite me radhë kanë kërkuar që vrasjet politike të zbardhen e për të cilat edhe kanë akuzuar Shërbimin Informativ të Kosovës dhe ish-kreun e kësaj organizate, Kadri Veselin. Ish-deputeti i VV-së, Sami Kurteshi që ka qenë pjesë e takimit të fundit të grupeve punuese i kontaktuar nga Express nuk ka dashur të komentojë nëse kjo Zyrë që është diskutuar të formohet do të hetojë edhe SHIK-un, kurse ish-deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka thënë se LDK është gjithmonë e gatshme që të shtyej përpara hetimin e SHIK-ut.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën janë shprehur pro një hetimi për SHIK-un në kuadër të një komisioni hetimor parlamentar, por që deri më tani nuk kanë arritur ta bëjnë këtë.

Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka thënë se LDK është gjithmonë e gatshme që të shtyjë përpara procesin e hetimit të SHIK-ut.

“Ne kemi qenë të gatshëm dhe jemi të gatshëm gjithmonë për ta shtyer përpara procesin e hetimit të SHIK-ut, por në bazë të kushtetutes partitë dhe qeveria nuk duhen të ndërhyjnë në drejtësi. Por ju të gjithë e dini se si kanë shkuar proceset në Kosovë dhe vet drejtësia, ka qenë e kapur e shantazhuar shpeshherë nga politika por asnjëherë nga LDK-ja”, ka thënë ajo.

Gaxherri tha tutje se të gjitha partitë duhet të kenë gatishmëri që vrasjet politike të zbardhen.

“Sa i përket kësaj çështjes që është shumë e ndjeshme, është më se e domosdoshme me bë diçka edhe pse është shumë e vështirë që Qeveritë me i dhënë kahje këtyre proceseve ose vrasjeve sepse ne në Kosovë i kemi të ndarë drejtësinë prej qeverisë”.

“Megjithatë vullneti i mirë i dy subjekteve politike sepse edhe sikur ti kishim 61 vota si LDK pa ndihmën e të gati të gjitha subjekteve politike këto çështje nuk zbardhen. Duhet të krijohet një besim dhe gatishmëri e të gjitha partive politike që vërtetë këto vrasje duhet të zbardhen.”, ka thënë Gaxherri.

Ish-deputetja po ashtu është shprehur se qeveria e ardhshme duhet të ju krijojë kushte prokurorëve dhe gjykatësve që të bëjnë punën e tyre.

“Mendoj se është koha që qeveria që do të vie duhet të ju jap shembull që vërtetë kjo qeveri është e interesuar të vëjë drejtësinë në vend. Të ju sigurojmë kushte, t’i largojmë shantazhet prej tyre dhe të kërkojmë përgjegjësi prej drejtësisë në këtë rast prej prokurorëve dhe gjykatësve”, tha ajo.

Ish-deputeti i VV-së, Sami Kurteshi i kontaktuar nga Gazeta Express lidhur me takimin e fundit të grupeve punuese në të cilën ishte i pranishëm se a janë pajtuar dy partitë që në kuadër të Zyrës Shtetërorë për Hetim të hetohet edhe SHIK-u, u shpreh se nuk ka se çfarë të shtojë apo të heq pos asaj që është thënë në deklaratën për media pas takimit dhe  në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me takimin.

“Ne jemi pajtuar për të gjitah që janë thënë në deklaratë pas takimit dhe në komunikatën e Vetëvendosjes, unë nuk kam asnjë element tjetër për me shtu ose me hjek”, u shpreh Kurteshi./GazetaExpress/

 

Lajmet më të lexuara