Latifi: PDK ka ndërmarrë iniciativa konkrete për të ndalë fenomenin e “veteranëve të rrejshëm”

21:57 | 12 Shtator 2019

Kandidati për deputetë nga PDK-ja dhe këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi ka thënë se AAK-ja mohon se listat e veteranëve janë të fryra.

Latifi, në RTV Dukagjini, ka thënë se Komisioni për verifikimin e veteranëve të luftës qysh moti e ka humbur kontrollin mbi procesin.

Ai ka thënë se edhe komandantë të ndryshëm në të gjithë Kosovën, i kanë lejuar vetes të nënshkruajnë lista të rreme me ç’rast sipas tij ka pasur tej fryrje të atyre listave, përcjell Telegrafi.

Këshilltari i ish-kryeparlamentarit Veseli thotë se AAK-ja ka mohuar se ka një fryrje të listave.

“Sot kemi rreth 39 mijë veteranë, ndërsa 17 mijë prej tyre janë nga Dukagjini…Të gjitha statistikat thonë se UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 13,500 luftëtarë”.

Latifi thotë se nuk ka asnjë logjikë të ketë pasur 30 mijë luftëtar ashtu siç thotë ish-kryeministri Haradinaj.

“Kjo shifër është 100% e pasaktë. Listat e fryra janë fakt dhe kanë dëmtuar shumë imazhin e UÇK-së dhe njëkohësisht po dëmton edhe buxhetin e Kosovës”.

Kandidati për deputetë nga PDK-ja thotë se fenomeni i veteranëve të rrejshëm ka filluar në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër e Avdullah Hoti ministër i financave.

“Ne si PDK kemi ndërmarrë iniciativa konkrete për të ndalë këtë fenomen të shëmtuar të tjerët kanë heshtur ose kanë bllokuar”, tha ndër të tjera Blerim Latifi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara