Kushtet e mjerueshme në FSHMN, studentët e profesorët paralajmërojnë bojkotin e studimeve

20:09 | 23 Dhjetor 2018

Nga jashtë duket se është në gjendje të mirë kjo pjesë e Universitetit të Prishtinës. Por, nga brenda Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore ka pamje tjetër.

Aty, përveçse mungojnë ulëset për studentët, nuk ka as mjedis të mirë për studime shkaku i kundërmimit, raporton T7.

Muret janë dëmtuar nga lagështia e tepërt, e në mungesë të hapësirës, bodrumet janë kthyer në salla mësimi.

E në këto pjesë ku kryejnë pjesën laboratorike shumë student të fiziologjisë, rreziku për sëmundje është i madh.

Në të njëjtën gjendje është edhe laboratori tjetër i departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematikore.

Edhe këtu mungon ndriçimi e ngrohtorja, ashtu si edhe investimet në objektin ku rriten kafshët që shërbejnë për studim.

Shefi i kësaj katedre, Avni Hajdari, thotë se problemet në këtë objekt i ndërtuar gjatë viteve 50-ta, janë të shumta.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, ka gjashtë vjet që ka iniciuar ndërtimin e një objekti të ri për këtë fakultet.

Ani pse u shkroi shumë letra Komunës së Prishtinës ende nuk është ndarë parcela për fillimin e ndërtimit.

Por, janë studentët që kanë filluar të organizohen në ngritjen e zërit kundër kushteve të këqija në këtë pjesë të kampusit të UP-së.

Dafina Sylaj, përfaqësuese e studentëve, thotë se do ta bojkotojnë semestrin veror nëse nuk fillon ndërtimi i objektit të ri.

E në krah të studentëve do të jenë edhe profesorët e tyre, pasi edhe ata kanë votuar unanimisht për ta përkrahur bojkotimin e studimeve.

T7 ka kontaktuar organet e Komunës së Prishtinës për të marrë një qëndrim në lidhje me çështjen e lejes së ndërtimit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

E nuk është vetëm fakultetit i matematikës që ka probleme me infrastrukturën e vjetruar.

Deri në ndërtimin e objektit të ri, studentët do të vazhdojnë të vijojnë studimet nëpër bodrumet e fakulteteve, ku rreziku për t’u sëmurë është i madh.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara