Kurti takon Amar Pushkën i cili pretendohet se u largua nga puna me shkaqe politike nga biznesi i Ramiz Kelmendit

17:19 | 13 Tetor 2019

Albin Kurti po paralajmëron masa të frikshme ndaj atyre që po shkelin të drejtat e punëtorëve. Kërcënimin e parë ia ka bërë një ish-politikani i cili është pronar biznesesh të marketeve.

Këto komente Kurti i ka bërë teksa ka takuar sot Amar Pushkën, për të cilin është raportuar se është larguar nga kompania e Ramiz Kelmendit vetëm pse ishte përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Amar Pushka është i papunë por i panënshtruar ndaj pronarit që vendosi ta mbështesë regjimin e vjetër. Shkeljes së të dejtave të punëtoreve nga punëmarrësit shpejt do t’i vijë fundi”, ka paralajmëruar Kurti duke publikuar foto bashkë me ish-punëtorin e ETC’së.

Në anën tjetër, Ramiz Kelmendi, ka mohuar se dikujt në kompaninë e tij i shkelen të drejtat. Ka thënë se nuk e njeh Amar Pushkën.

“Nuk ka pasur asnjëherë shkelje edhe kur kanë qenë qeveritë e kaluara që me u ndalu tash shkeljet. Nuk e di unë për çfarë punëtori është fjala. Nuk e di që ka dikush obligim me i votu partitë politike, e aq më pak ai personi në fjalë të cilin unë nuk e njoh hiç”, ka thënë Kelmendi, për Express.

Ai ka thënë se askush në kompaninë e tij s’ka qenë i detyruar të votojë për asnjë prej partive që kanë garuar në zgjedhje.

“Nuk ka kërkush obligim me votua, e aq më pak ndonjë person që paska aderuar apo ka shkuar në çfarëdo forme në cilëndo parti, mundet me shkua me lëvizë krejt çka i takon Ligjit të drejtat e tij janë, mundet me lëvizë ku të dojë kush të dojë, as s’ka obligim për të votuar askë”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, kandidati për Kryeministër, Albin Kurti ka thënë se shpejt do t’iu vijë fundi shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.

“Me punëtorë që e ngrisin zërin për të drejtat e tyre, sikurse Amar Pushka, do të fuqizojmë sindikatat, do ta zvogëlojmë pabarazinë e do ta luftojmë varfërinë. Amari nuk është vetëm. Ai ka një Lëvizje të tërë prapa”, ka shkruar Kurti.

Ramiz Kelmendi, ish-deputet i LDK’së e AAK’së, kishte thënë pesë ditë para zgjedhjeve se është dakorduar me punëtorët e kompanisë së tij, ETC, se do të votojnë Kadri Veselin dhe PDK’në.

Pas kësaj, Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Kelmendit pasi ishte konsideruar se ka bërë presion dhe i ka detyruar punëtorët në bindjet e tyre politike pro PDK’së.

Megjithëkëtë, Kelmendi nuk ka dashur të tregojë më shumë në lidhje me hetimet e Prokurorisë. Vetëm ka thënë se s’dëshiron të flasë lidhur me raportet e tij me organin e akuzës.

“Me tregu të drejtën ajo është çështje në mes meje dhe Prokurorisë një herë për njëherë, nuk mund tëq jap unë asnjë detaj për këtë punë”, u shpreh Kelmendi.

Ramiz Kelmendi është pronar i rrjetit të marketeve ETC.

Më 7 maj të vitit 2014, Kelmendi ishte larguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku kishte qenë deputet.

Pastaj, kishte shkuar në PDK, duke u bërë deputet. Pastaj, kishte kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, në zgjedhjet e fundit, Kelmendi përsëri ishte kthyer partisë së dytë të tij, PDK’së. Kishte provuar t’i ndihmojë Kadri Veselit dhe PDK’së, e cila u rendit e treta, duke shënuar humbjen më të thellë prej pasluftës.

Postimi i Kurtit:

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara