Kurti: PDK në opozitë, nuk do të vrapojmë pas Listës Serbe për koalicion

13:56 | 10 Tetor 2019

Lideri i Vetëvendosjes njëherit kandidat për kryeministër nga VV, Albin Kurti dhe kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani janë takuar sot pas publikimit të rezultateve preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Pas këtij takimi të dy kanë bërë të ditur se janë dakorduar për Qeverisje të përbashkët, shkruan arbresh.info.

Kurti tha gjithashtu se në Qeverinë e re do të punohet më shumë.

“Ideja jonë është për një Qeveri efikase në të cilën do të kemi shumë më pak ministri, shumë më pak zëvendësministra por do të kemi shumë më shumë ministri dhe punë”, ka thënë ai.

Ndërsa kur u pyet për ndryshim të raporteve enë rast se ndryshon rezultati përfundimtar i zgjedhjeve ai tha “PDK është në opozitë, Vetëvendosje dhe LDK do të qeverisin së bashku, kjo nuk do të ndryshoj”.

E për futjen e Listës Serbe në Qeveri, i pari i VV-së tha se fillimisht do të bisedojnë me serbët që veç e kanë njohur Kosovën.

“Obligim kushtetues është që nga komuniteti serb të kemi një ministër nëse kemi maksimalisht 12 ministri por nuk do të vrapojmë të takojmë Listën Serbe pa takuar serbët që kanë garuar jashtë Listës Serbe e të cilëve u janë bërë shumë padrejtësi e shkelje siç e kanë konstatuar edhe vëzhguesit ndërkombëtare, pra serbët që veç e kanë pranuar Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe takimi mes liderit të VV-së, Albin Kurti dhe kandidates së LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani i mbajtur sot në Prishtinë ka zgjatë rreth një orë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara