Kryetari i Novobërdës dënohet me 3 mijë euro gjobë

16:50 | 19 Shkurt 2020

Është dënuar me 3 mijë euro gjobë, kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq.

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Svetislav Ivanoviq, duke i shqiptuar dënim prej 3 mijë euro gjobë.

“I akuzuari me datë 15.11.2017, në kohë të pacaktuar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për personin juridik, Shoqata e Gjuetarëve “Kalaja” në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, si dhe ka shkelur të drejtat e personit juridik Shoqata e Gjuetarëve “Ujku”, në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-53 dhe udhëzimin administrativ 10/2007, si dhe vendimin e datës 07.11.2017 të Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë, duke nxjerrë njoftimin me nr. 08/666, ashtu që për vitet 2017/2018, Shoqatës se Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e Komunës së Novobërdës, duke i mundësuar përfitim material në shumën prej 11.260,00 euro”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Po ashtu, në kundërshtim me Ligjin 04/L-144 për dhënien në shfrytëzim një zyre në objektin e Komunës së Novobërdës, me ç’rast i ka shkaktuar dëme material në vlere 960,00 euro, ndërsa dëmi në vlerën e përgjithshme është 12.220,00 euro.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues, për të akuzuarin, duke i shqiptuar dënim prej 150 ditë burgim, por pas shpalljes së aktgjykimit me kërkesën e palës dënimi me burgim i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro. 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara