Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së: Gjatë luftës s’ka pasë asnjë krim, shpifje të Dick Martyt

00:39 | 25 Qershor 2020

Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna ka thënë se propozim-aktakuza për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin nuk ka bazë juridike dhe e njëjta nuk duhej të publikohej.

Ai në Edicionin Special në Klan Kosova ka ngritur dyshime se publikimi i saj është bërë për arsye politike dhe ndërlidhet drejtpërdrejt me takimin e Washingtonit.

“Kjo çështje, sipas mendimit tim, duhet të shikohet në dy aspekte: aspektin juridik dhe aspektin politik. Nga aspekti juridik kjo aktakuzë e proklamuar nuk ka bazë juridike, për shkak që nuk është konfirmuar nga organi kompetent”.

“Nuk është dashur të publikohet, por meqë ka ndikuar aspekti politik dhe diçka që ka pas kësaj që opinioni nuk e di. Pse tri ditë para se të shkojë presidenti dhe kryeministri në Ëashington? Është e pakuptimtë dhe të bën të dyshosh që diçka nuk është në rregull dhe se ka një prapavijë e cila për mendimin tim nuk është e favorshme për ne se çka do të ngjajë. Unë personalisht kam frikë se po përgatitet diçka që nuk mund ta them – diçka rreth Kosovës”.

Ndonëse në aktakuzë pretendohet se Thaçi dhe Veseli janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, Dobruna me siguri të plotë ka thënë se kjo është shpifje, derisa ka akuzuar Dick Martyn.

“Kjo për mua është thjesht e pavërtetë. Gjatë luftës nuk ka pasë asnjë krim i cili mund të vërtetohet, asnjë. UÇK-ja të gjithë e dinë se ka qenë ushtri e re dhe gjithmonë në Shtabin e Përgjithshëm është thënë që duhet ruajtur imazhi i UÇK-së kështu që çfarëdo veprimi që kemi bërë kemi pasë kujdes rreth imazhit”.

“Pas luftës, për mua personalisht në Google Beogradi ka shkruar sa kam vrarë serbë, shqiptar, romë dhe ashkalinj dhe se unë me vëllain tim e kontrolloj naftën në Rrafshin e Dukagjinit. Unë jam i vetmi luftëtar që sot s’kam shtëpi. Serbët nuk lënë gjë pa shpif. Këto janë shpifjet e Dick Martyt – me iniciativën e Beogradit. Ai duhet dikur të akuzohet për këto shpifje”.

“Ato të cilat ai i pretendon, trafikim organesh, duhet laborator i posaçëm. Çfarë mundësi ka në kushte të luftës të bëhet trafikim organesh?”.

Ai ka garantuar se gjatë luftës asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk ka kryer krime.

“UÇK-ja edhe të gjitha ushtritë mund të ketë keqpërdorim aty këtu, por gjatë luftës garantoj që s’ka pasë. Unë e kam dorëzuar detyrën dhe më nuk jam marrë me këto çështje. Për atë çfarë ka ndodhur pas luftës unë nuk kam asnjë informacion, prandaj nuk më takon të flasë asgjë”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara