Kryetarët e komunave ankohen për mosinformim me kohë nga Qeveria për hapjen e çerdheve

00:27 | 1 Qershor 2020

Në kuadër të masave lehtësuese ndaj Covid-19, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti ka marrë vendim që nga 1 qershori të hapen çerdhet publike dhe private në vend.

Por ndaj këtij vendimi kanë reaguar disa nga kryetarët e komunave, të cilët thonë se për këtë vendim janë njoftuar shumë vonë, për arsye se atyre u duhet që paraprakisht të përgatiten për hapjen e çerdheve.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në konferencën për media të qeverisë u përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor për hapjen e çerdheve. Po ashtu, sipas Ahmeti, u përmenden edhe rregullat strikte për çerdhet por nuk kanë marrë asnjë informate zyrtare e as informatë mbi rregullat.

“Nuk kemi marr asnjë informate zyrtare e as informatë mbi rregullat. Ne presim që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat, po shpresojmë sonte. Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri t’i marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë. Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje”, ka deklaruar Ahmeti, raporton “Epoka e re”.

Edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardin Gjini ka reaguar ndaj këtij vendimi për hapjen e çerdheve.

Ai ka thënë se ky vendim i Qeverisë është nonsens. “Në kopshte fëmijët ushqehen dhe pastrohen! Nuk mund të bëhen përgatitjet për të hënën në mëngjes kur lajmi jepet të dielën në ora 22:00. Prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte nesër ndërsa po nesër do të fillojnë përgatitjet për hapjen sa më të shpejtë të kopshteve me masat e duhura të sigurisë”, ka deklaruar Gjini.

Gjithashtu edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar prindërit, që pas konsultimit me drejtorin e DKA-së dhe drejtoreshën e IP “Rrita e Jonë”, lidhur me rihapjen e institucioneve parashkollore për grupmoshat 0-5 vjeç, kanë vlerësuar se objekti i çerdhes duhet t’ i nënshtrohet parapërgatitjes dhe procesit të dezinfektimit, pasi që për një kohë të gjatë ka qëndruar i mbyllur.

“Si rezultat i kësaj, në Komunën e Obiliqit rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër”, ka thënë Gashi.

Po ashtu edhe Komuna e Drenasit ka njoftuar prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe deri në një njoftim tjetër.

“Kjo për arsye se komuna në komunikimin zyrtar ende nuk ka pranuar asnjë vendim lidhur me rihapjen e çerdheve publike dhe atyre private. Komuna është në pritje të një vendimi ose qartësimi nga Ministria e Arsimit se si do të funksionojnë çerdhet dhe deri në marrjen zyrtare të një vendimi, çerdhet nuk do të hapen në Drenas. Në konferencë të Qeverisë në detyrë janë përmendur rregullat strikte për rihapjen e çerdheve, por ende ka nevojë për t’u qartësuar kjo gjendje se si do të hapen ato. Të nderuar qytetarë/prindër, çerdhet do të rihapen këto ditë, por presim nga niveli qendror për më shumë detaje lidhur më përgatitjet. Ju falënderojmë për mirëkuptim”, është bërë me dije në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë me dije se njoftimin për hapjen e çerdheve për fëmijë e kanë marrë me vonesë nga Qeveria e Kosovës.

“Për shkak të njoftimit me vonesë, me qëllim të përgatitjes më të mirë, ndërmarrjes së masave parandaluese kundër infeksionit Covid-19 dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve tonë, çerdhja ‘Nëna Zahide’ nuk do të hapet nesër”, ka thënë kryetari Jashari./epokaere/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara