“Kryeministri Haradinaj mund të paditet për vendimet që i ka marrë deri më tani”

21:49 | 9 Shkurt 2018

Analisti politik, Belul Beqaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se preteksti i disa deputetëve që demarkacioni së pari të votohet, e më pastaj të rishikohet në pajtim me palën malazeze, është shumë i dëmshëm në kuptimin afatgjatë.

“Preteksti që më vonë të rishikohet është shumë i dëmshëm në kuptimin afatgjatë. Së pari, a se rishikojë tërë procesin Komisioni i Bulliqit ? Nëse se kanë rishikuar si duhet a nuk duhet të shkarkohet edhe ky Komision! Së dyti, fakti se është shkarkuar Komisioni i Mehës,a s’do të nënkuptonte hedhjen e raportit të atij Komisioni ? A nuk është jo logjike, kontradiktore të shkarkosh komisionin e të hedhësh në votim raportin e tyre?!”, ka theksuar Beqaj.

Ndër të tjera, Beqaj ka folur edhe për vendimet e Haradinajt, për të cilat konsideron se ekzistojnë argumente juridike që të ngritët padi, pasi ka thënë se i ka dëmtuar interesat e qytetarëve.

“Mendoj se ekzistojnë argumentet politike por edhe juridike që të ngritët padi kundër kryeministrit të Kosovës për abuzime që po bën në dëm të drejtave dhe interesave të qytetarëve”, tha ai.

“Që në vendimin e parë Qeveria ka shkarkuar komisionin shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, i cili vendim është në kundërshtim me ligjin për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror dhe rregulloren e saj mbështetëse”, ka deklaruar Beqaj, shkruan Telegrafi.

Ai ka përmendur, ‘vendimin e kryeministrit Haradinaj për kompensimin e familjeve të të përfshirëve në rastin e Kumanovës, sipas të cilës kompensimi i individëve që kanë marrë pjesë në një konflikt jashtë vendit shkel ligjin aktual për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit.

‘Gjithashtu vendimin e Qeverisë për faljen e borxhit të ambalazhuesve të ujit është i paligjshëm dhe i padrejtë, pasi përçon një mesazh negativ për sektorin privat’.

‘Shkarkimin e 10 nga 19 anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilit sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit ishin mbajtës të paligjshëm të detyrës, etj’.

Beqaj ka folur edhe për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“E mira e tentimeve avanturiste për shfuqizimi në Ligjit për Gjykatën Speciale është se dolën në sipërfaqe akterët dhe instrumentet e tyre. Kështu , vetëzbulimi i tyre është garanci se ngritjet e aktakuzave nuk do të destabilizojnë vendin”, ka thënë Beqaj.

Ai ka theksuar se qytetarët janë të vetëdijesuar pas atij tentimi aventurist, dhe se do të mbështesin heqjen e çdo rasti të njollosjes së kaluarës së ndritshme të rezistencës kombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara