Krasniqi-Apostolovas: PDK për konsensus rreth dialogut

18:37 | 21 Janar 2019

Memli Krasniqi i ka thënë Nataliya Apostolovas se angazhimi i PDK-së është për një konsensus të plotë të spektrit politik të Kosovës rreth dialogut me Serbinë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka takuar Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë njoftuar nga kjo parti.

“Agjenda legjislative për këtë vit, reformat në sektorë të ndryshëm që ndërlidhen edhe me agjendën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, dialogu me Serbinë dhe tema të tjera u diskutuan sot në mes të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Shefes e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe deputetët, Elmi Reçica, Blerta Deliu – Kodra dhe Sala Berisha – Shala.

Krasniqi e njoftoi zonjën Apostolova edhe për qëndrimin e PDK-së pro dialogut me Serbinë, me synimin që të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare obligative. Ai gjithashtu theksoi angazhimin e PDK-së për një konsensus të plotë të spektrit politik të Kosovës, rreth dialogut.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Memli Krasniqi po ashtu foli edhe për përkushtimin e PDK-së në Kuvend që të ketë angazhim edhe më të madh në reforma të rëndësishme për vendin, si në sundimin e ligjit, ekonomi, arsim e fusha të tjera. Për këtë, theksoi Krasniqi do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me Bashkimin Evropian dhe partnerë tjerë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara