KQZ emëroi anëtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri

16:13 | 16 Prill 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve (KKZ) për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, transmeton Telegrafi.

Vendimi është marrë në mbledhjen e KQZ-së, të kryesuar nga kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes kryetarja Daka, bëri të ditur se i është dërguar shkresa zyrtare shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, lidhur me angazhimin e këtij misioni në rolin këshillues në këto zgjedhje.

Daka, njoftoi se kjo letër është e formatit të njëjtë me atë të zgjedhjeve të vitit 2017.

Në mbledhje, anëtarët e KQZ-së, u dakorduan që Misioni i OSBE-së në Kosovë, të ketë rol vetëm në këshilla teknike për komisionet komunale të zgjedhjeve si dhe vetëm në ditën e zgjedhjeve për këshillat e vendvotimeve. /Telegrafi/