Kosova i bashkëngjitet Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave

12:15 | 25 Tetor 2020

Republika e Kosovës i bashkëngjitet Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave, një iniciativë e SHBA-ve, në përkrahje të avancimit të pjesëmarrjes së plotë dhe të lirë të grave në ekonomi.

Me këtë rast Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla nënshkroi Deklaratën zyrtare të Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave duke iu bashkuar homologëve nga shumë shtete të botës për të riafirmuar rolin e rëndësishëm që kanë gratë për përparim shoqëror dhe zhvillim ekonomik, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës.

“Përmes deklaratës nënvizohet fuqishëm rëndësia që ka mënjanimi i barrierave për pjesëmarrje të plotë dhe të lirë të grave në ekonomi si dhe afirmohet roli i Republikës së Kosovës në ndërtimin e konsensusit ndërkombëtar në avancimin e fuqizimit ekonomik të grave”, thuhet më tutje në njoftim.

Ministria e Jashtme ka vënë në dukje se përmes përkrahjes dhe bashkëngjitjes në këtë thirrje, Republika e Kosovës merr përsipër që të identifikojë dhe zhvillojë plane të brendshme për të avansuar me reforma ligjore, rregullative dhe në nivel të politikbërjes në fushat kryesore të cilat nxisin pjesëmarrjen e plotë dhe të lirë të grave në ekonomi, sigurimin e të drejtave pronësore dhe nxitjen e mundësive për të punuar në të njëjtat punë dhe sektorë sikurse dhe burrat.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara