Kosova dhe shteti i Samoas lidhin marrëdhënie diplomatike

09:25 | 10 Mars 2017

Ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari dhe shefja e Misionit Diplomatik të Samoas në Australi, Hinauri Petana, kanë nënshkruar Komunikatën e Përbashkët për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Pavarur të Samoas.

Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar Komisioneren e Lartë, Qeverinë dhe popullin e Samoas për përgjigjen pozitive për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, duke thënë se gjendemi gjeografikisht në dy pjesë të ndryshme të botës, por ndajmë shumë vlera të përbashkëta, që na bashkojnë.

“Ekselenca juaj, mund t’ju konfirmoj se Samoa e ka një mik të mirë në Evropën Juglindore: miku juaj është dhe do të mbetet Republika e Kosovës.”

Komisionerja e Lartë e Samoas ka deklaruar se ky është një moment shumë i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.”

Në Komunikatën e Përbashkët ndër të tjera thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shtetit të Pavarur të Samoas të udhëhequra nga gatishmëria e tyre për të promovuar lidhjet e miqësisë mes dy vendeve, zgjerimin e horizonteve të bashkëpunimit të ndërsjellë, dhe mbështetjen e kauzës së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare kanë vendosur të lidhin Marrëdhënie Diplomatike në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike të vitit 1961, të gatshëm që përmes këtij hapi të forcojnë bashkëpunimin frytdhënës në sferën politike, ekonomike, tregtare, teknike dhe kulturore dhe në fusha tjera me interes të ndërsjellë, dhe duke ju përgjigjur aspiratave të të dy vendeve për marrëdhënie dhe kontakte miqësore.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara