Koordinatori Hoti shpërblen me libra nxënësit në Prishtinë

16:34 | 3 Shkurt 2020

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti ka bërë shpërndarjen e librave për 266 nxënës të Komunës së Prishtinës, si fitues në nivelin komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik.

Me këtë rast Koordinatori Hoti tha se këto rezultate pozitive janë arritur falë punës së mësimdhënësve, prindërve por edhe fëmijëve.

Duke theksuar rezultatet e jashtëzakonshme të garave nga të cilat 44,723 nxënës fitues morën shpërblime, mbi 200 drejtorë, prind, staf organizativë u shpërblyen, koordinatori Hoti  tha se ka qenë një angazhim vullnetar në gjithë Kosovën në të mirë të arsimit.

“Ne sot kemi sjellë para jush libra falë punës tuaj. Ju keni dëgjuar se kemi shumë probleme ne arsim, por arsimi për ne ka qenë shtylla kryesore. Pa arsimin sot asgjë nuk mund të ecë përpara, prandaj ju jeni e ardhmja. Kjo është çështje fundamentale ku të gjithë ne, prindër, politikanë, shërbyes civil, mësimdhënës e të tjerë, duhet të jemi në shërbim të arsimit sepse përmes jush ne kemi një shans të jashtëzakonshëm. Përmes arsimit ju do të mund të formësoni personalitetin tuaj dhe në të ardhmen do të merrni vendime të mëdha për vete dhe për vendin. Kur mendoni ndonjëherë se keni shumë halle e derte si nxënës dhe që keni shumë mangësi për t’i arritur ato që dëshironi në jetë, mos harroni merrni libra dhe lexoni sepse përmes leximit ju mund t’i arrini të gjitha”, tha Koordinatori Hoti.

Edhe drejtori i shkollës “Qamil Batalli”, Liridon Maliqi gjatë ceremonisë falënderoi koordinatorin Hotin, stafin e shkollës por edhe prindërit për arritjen e rezultateve në gara. “Ne si shkollë kemi bashkëpunuar me Koordinatorin Hoti dhe ekipin e tij, por kjo është dita më e mirë për neve sepse kemi pas sfida me javë të tëra. Ne kemi qenë pjesëmarrës në këtë garë me nxënësit e shkollës sonë, të cilat kanë qenë interesante dhe e rëndësishmja është që fëmijët janë ndarë të kënaqur. Pas pak do të fillojë edhe shpërndarja e librave nga Koordinatori Hoti për nxënësit dhe në këtë rast po promovohet leximi dhe të lexuarit. Natyrisht vlera e librit është më e madhe sesa që flasim ne, por që besoj që këta fëmijë do t’i lexojnë këta libra dhe do t’ua proklamojnë bashkëmoshatarëve të tyre që t’i lexojnë edhe ata”, tha Maliqi.

Si shenjë falënderimi për organizimin e garave, nxënësit e shkollës “Xhavit Ahmeti”, i dhuruan Koordinatorit Hoti disa punime dore.

Komuna e Prishtinës ka pasur 3293 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 113 në nivelin komunal dhe 266 fitues në nivelin shkollor të garës.​/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara