Komuna e Obiliqit merr vendim për rrënimin e banesave sociale, tetë familje rrezikojnë të mbesin në rrugë

18:09 | 18 Maj 2020

Banesat e sociale të Komunës së Obiliqit, do të rrënohen me 1 qershor,  e në vend të tyre do të ndërtohet një park qyteti.

Kështu ka vendosur Komuna e Obiliqit.

Por, rrënimi i këtyre banesave rrezikon të lë pa kulm mbi kokë tetë familje me raste sociale, të cilat thonë se nuk kanë të ardhura financiare dhe pos këtij vendi nuk kanë ku të shkojnë.

Aishe Baiqinca, banore në këtë  banesë, thotë se gjendja e saj shëndetësore nuk është aspak e mirë. Ajo rrëfen se është operuar dy herë dhe nëse e largojnë nga këtu, nuk ka ku të shkojë.

“Jam e operuar dy herë, nuk kam vend tjetër se ku të shkoj. I kam kushtet e rënda ekonomike. Lus komunën që të më bëjë një zgjidhje para se të dal nga këtu”, ka bërë thirrje ajo.

Edhe banorja tjetër, Gjylsyme Bajqinca thotë se nuk ka vend ku të shkojë, pasi që kushtet ekonomike i ka të rënda.

“Jetoj këtu tash e disa vite. Nuk kam ku të shkojë. E di që kjo nuk është pronë e imja por nuk kam se ku të shkojë. Edhe këtu i kemi kushtet e rënda. Nuk kemi as banjë, as kuzhinë siç duhet. Ju lutem kryetar mos na leni pa kulm mbi kokë”, u shpreh ajo.

I pyetur për të gjitha këto kërkesa, drejtori për Planifikim Urban i Komunës së Obiliqit, Arben Berisha, deklaroi se ajo ndërtesë do të rrënohet, e në vend të saj do të ndërtohet një park qyteti.

“Ato banesa nuk janë pronë e atyre banorëve. I kemi lajmëruar që prej një viti që së shpejti do të rrënohen në kuadër të ndërtimit të projektit të sheshit për komunën e Obiliqit. Në ë vend të këtyre ndërtesë do të ndërtohet një park”, tha Berisha.

Por banorët nuk e lanë me kaq. Ata në mënyrë kolektive shkuan në komunën e Obiliqit për të kërkuar ndihmë nga kryetari Xhafer Gashi, por ky i fundit nuk ishte në zyrë për t’i pritur ata.

Tensionet u ngritën kur banorët nuk e gjetën kryetarin në komunë dhe në fillim askush nuk doli për të dhënë një përgjigje.

Pas kësaj zyrtarët e tjerë të komunës dolën për t’i dhënë sqarime banorëve, por megjithatë takimi përfundoi pa asnjë zgjidhje./Alban Begolli/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara