Kocijanqiq për arbresh.info: Integrimi i drejtësisë të ndodhë pa vonesa

16:06 | 17 Tetor 2017

Zëdhënsja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanqiq, i ka thënë arbresh.info se Presidentët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord më 31 gusht 2017 se integrimi i drejtësisë do të ndodhte më 17 tetor, por shton faktin se kanë pranuar kërkesën për shtyrje nga Beogradi.

Kështu është përgjigjur Kocijanqiq, pasi është pyetur se pse nuk ndodhi implementimi i marrëveshjes, dakordim ky rreth datës, nga palët e dialogut të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe presidentëve të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në takimin e fundit në Bruksel.

“Prishtina ka përmbushur angazhimet e saj në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Drejtësinë. Integrimi i marrëveshjes së drejtësisë është i rëndësishëm për të përmirësuar sundimin e ligjit në tërë Kosovën dhe në veçanti në rajonin e Mitrovicës,” është shprehur Kocijanqiq për arbresh.info.

Bashkimi Evropian pret një angazhim konstruktiv për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura brenda Dialogut të lehtësuar nga BE.

“Është shumë e rëndësishme që integrimi i drejtësisë të ndodhë pa vonesa të mëtejshme,” është shprehur ajo, derisa është pyetur edhe për kritikat e sotme të presidentit Thaçi karshi BE-së.

42 gjyqtarë dhe 14 prokurorë jo shqiptar të veriut të vendit nuk i kanë shkuar sot për dekretim presidentit, Hashim Thaçi.

“Veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi,” thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015./Jehona Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara