KMSHK miratoj një ankesë të plotë dhe një pjesërisht kundër dy gazetave ditore

21:28 | 29 Shtator 2015

Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, ka miratuar dy ankesa, njërën plotësisht dhe tjetrën pjesërisht ndaj dy gazetave ditore “Kosova Sot” dhe “Koha Ditore”.

KMShK në mbledhjen e sotme, pasi shqyrtoi ankesën e Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër gazetës Kosova Sot në lidhje me artikullin “Memorandumi mes KPK-së dhe IKD-së ka ngjallur debat në prokurorinë e shtetit” botuar më 31 gusht 2015, konstatoi se bëhet fjalë për shkeljen e Kreut  II, pika 1 e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili kërkon që: “Gjatë punës së tyre, gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën, si dhe shkeljen e Kreut IV, pika 2, e cila thotë: “e drejta për t’u përgjigjur do t’u mundësohet personave përkatës”, thuhet në komunikatnë për media të lëshuar nga ky  këshill.

Më tutje thuhet se gjatë kësaj mbledhje, KMShK nuk miratoi ankesën e komunës së Drenasit kundër portalit Telegrafi në lidhje me artikullin “Për varrezat katolike në Llapushnik, Demaku veproi krye në vete”.  Kjo pasi ankesa nuk arriti të argumentojë se vendimi për shëndrrimin e pronës komunale në lokacion për varreza ka kaluar në Kuvendin Komunal të Drenasit, së paku jo deri më tani.

Po ashtu KMSHK pasi shqyrtoi ankesën e avokatit Dastid Pallaska kundër gazetës “Koha Ditore” në lidhje me artikullin “Prokuroria mbledh prova për avokatët që i janë shmangur tatimit”, KMShK vendosi unanimisht se përmbajtja e artikullit është e balancuar dhe në të paraqiten edhe qëndrimet e ankuesit.

Andaj kjo pikë e ankesës nuk u miratua.

“Gjithashtu, kur bëhet fjalë për mosbotimin e reagimit të z. Pallaska, KMShK gjeti se nuk është bërë shkelje, pasi u informua se gazeta Koha Ditore është e gatshme, siç ka qenë edhe më parë, që ta botojë reagimin në fjalë, mirëpo në bazë të rregullave dhe standardeve ndërkombëtare dhe të shtypit në Kosovë. Pra, reagimi duhet t’u përmbahet kufizimeve teknike dhe përmbajtjesore të artikullit, posaqërisht hapësirës që merr në rastin e botimit, e cila duhet të jetë përafërsisht e barabartë me pjesën e artikullit ku bëhet fjalë për ankuesin. Edhe kjo pikë e ankesës nuk miratua”, thuhet në komunikatën e KMShK-së.

Ndërkaq, pjesa e ankesës që ka të bëjë me titullin e artikullit u miratua me 7 vota për dhe 4 kundër. Anëtarët e KMShK-së vendosën se titulli i artikullit ka mundur të jetë më i saktë dhe joparagjykues. Në këtë rast, gazeta Koha Ditore ka shkelur Kreun V, pika 2, të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili thotë: “Gazetarët dhe redaktorët janë të obliguar të mos prejudikojnë fajësinë e një personi të akuzuar”. Kjo ankesë u miratua pjesërisht.

KMShK, në mbledhjen e sotme sqaroi se vendimi në lidhje me ankesën e Veton Surroit kundër portalit Indeksonline, në mbledhjen e kaluar është miratuar pjesërisht.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara