Klinika Infektive ka trajtuar një serb të infektuar me COVID-19

15:05 | 1 Prill 2020

Sipas infektologut të Klinikës Infektive Salih Ahmeti, aktualisht në QKUK, gjenden 39 persona të cilët po trajtohen, shkruan arbresh.info.

“Ne sot i kemi pasë 43 të sëmurë, 4 prej tyre janë në gjendje të mirë që kanë shërime klinike dhe mikrobiologjike dhe aktualisht na kanë mbetur 39”, tha Ahmeti.

Ai më tutje tregoi edhe llojin e terapive që po i aplikohet pacientëve.

Jemi duke i trajtuar me terapi mbështetëse antiviral. Mënyra e trajtimin nuk është njëjtë për të gjithë, varet prej sëmundjeve të tyre tjera. Por kryesisht me terapi  mbështetëse, antivirale, terapi me oksigjen, terapi vitaminoze”, deklaroi ai.

Infktologu Ahmeti thotë se aktualisht i kanë pajisjet e nevojshme në sasi të nevojshme, por, nëse numri i pacientëve rritet atëherë të gjitha hapësirat e QKUK-së mund t’i lirohen për të infektuarit me COVID-19.

“Aktualisht i kemi pajisjet e nevojshme në sasi të mjaftueshme. Shpresojmë që numri i të infektuarve nuk rritet por kemi plane rezervë se nëse rritet dhe klinika nuk mund të përballojë, atëherë kalojmë tek klinikat tjera të QKUK-së dhe varësisht prej numrit të pacientëve, e gjithë QKUK-ja mund të boshatiset dhe t’i lëshohet të prekurve ose mundet me gjete lokacion tjetër”, pohon Ahmeti.

Ai më tutje tha për arbresh.info se deri më tani kanë pasur edhe një të infektuar serb, të cilin e kishin liruar për trajtim në shtëpi me vetë dëshirën e tij.

“Ne jemi mjek dhe nuk ka rëndësi për ne se çfarë komuniteti janë. Kemi pasur komunitet të ndryshëm njëri ka qenë rom, njëri ka qenë serb i cili ka rezultuar pozitiv me test dhe është lëshuar në shtëpi pasi që ka shprehë dëshirën të trajtohet në vet izolim si disa pacientë tjerë që janë nën mbikëqyrje të ekipeve regjionale. Edhe sot po e lirojmë një ndërkombëtare që ka arrit të shërohet. Tek ne të gjithë janë njëjtë”, tha ai

Ndërkaq sa i përket testimit të personave mund të ketë persona që e kanë virusin por nuk e dinë fare.

“Personat e karantinuar në konvikt, janë në menaxhim të IKSHP-së dhe ata vendosin për politikat e testimit të tyre. Në disa raste virusi mund të mos ketë fare simptoma, por janë të rralla ato raste. Por ka raste që infeksioni mund të manifestohet edhe pa manifestime klinike. Pikërisht për këtë arsyeje janë marrë masat e izolimit.”

Ahmeti në fund theksoi se testimi dhe trajtimi i koronavirusit në Klinikën Infektive është pa pagesë.

“Tek ne i bëjmë pa pagesë edhe testet edhe trajtimet por nuk e di se IKSHP-ja çfarë çmimi e ka për testim”, tha Ahmeti./Alban Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara