Kërkohet më shumë punë rreth arsimit për të rritur në Kosovë

12:00 | 22 Nëntor 2019

Arsimi për të rritur në Kosovë aktualisht ofrohet në mënyrë të kënaqshme, por për të pasur një arsim më kualitativ duhet që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë.Kështu është thënë në konferencën me temën “E ardhmja e arsimit për të rritur në Kosovë”, e cila është organizuar nga Instituti për bashkëpunim ndërkombëtar i bashkësisë së shkollave të larta popullore gjermane dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.Qëllimi i kësaj konference u tha të jetë analizimi i gjendjes aktuale të arsimit për të rritur në Kosovë dhe për të evidentuar hapat e mëtutjeshëm dhe të domosdoshëm për zhvillim.

Drejtori i zyrës së DVV International në Kosovë Ramadan Alija, tha se qëllimi i kësaj konferencë është që të nxitet një debat tek të gjitha palët për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit për të rritur.“Qëllimi i konferencës është që të nxitim një debat të të gjitha palëve të interesit dhe dikastereve kryesore të arsimit në Kosovë, duke mos i përjashtuar edhe Ministrinë e Punës, Mirëqenies Sociale, përmes Agjencionit të Punësimit, po edhe Ministrinë e Kulturës. Si dhe organizata të ndryshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimimit për të rritur ose të them ashtu më mirë të mësimit të vazhdueshëm, aftësimit dhe riaftësimit duke i përfshi të gjitha fushat që kanë të bëjnë me arsimimin e të rriturve, duke mos e përjashtuar edhe edukimin qytetar, demokratik, integrimin”, tha ai.Ai tha se do të bëjnë një hulumtim për pjesëmarrjen në edukim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kurse, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valbona Fetiu Mjeku, tha se Kosova ofron arsimin për të rritu në shkollat profesionale dhe në qendrat e aftësimit profesional.“Nëse flasim për arsimin për të rritur, ne e dimë se në Kosovë ofrohet, kemi arsim për të rritur në shkollat profesionale i cili ofrohet në kohë më të shkurtër dhe i kemi qendrat e aftësimit profesional në kuadër të Ministrisë së Punës, të cilët merren me aftësimin e të papunëve. Kjo konferencë ka të bëjë me një sensibilizim të ministrisë, po edhe të gjitha institucioneve tjera po edhe popullatës, që të fillojmë të mendojmë më shumë për krijimin e kurseve të shkurtra dhe në bazë të kërkesave dhe nevojave të tregut të punës. Në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të aftësimit në kohë më të shkurtër për profesionet që kanë nevojë”, tha ajo.

Për gjendjen aktuale, sfidat dhe nevojat për zhvillim të mëtutjeshëm të arsimit për të rritur, ka folur Radica Berishaj nga Instituti për bashkëpunim ndërkombëtar i bashkësisë së shkollave të larta popullore gjermane, e cila tha se arsimimi i të rriturve është ngritje e kapaciteteve njerëzore për një vend.“Arsimimi ka nevojë për një qëndrueshmëri, ka nevojë për një gjithëpërfshirës, në të njëjtën kohë ka nevojë me e përgatitë njeriun jo vetëm për punë, po ka nevojë me e përgatitë edhe për pjesëmarrje aktive në demokraci në shoqëri. Nëse jeni të suksesshëm në punë, por dështon në pjesën personale dhe pjesën në familje, do të thotë ose nuk je aktiv në pjesën ku jeton si pjesëmarrës aktiv, nuk je i plotësuar si person”, tha ajo.Konferenca “E ardhmja e arsimit për të rritur në Kosovë”, është organizuar nga Instituti për bashkëpunim ndërkombëtar i bashkësisë së shkollave të larta popullore gjermane (Asociacioni gjerman për arsimin e të rriturve) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara